Krasniqi shkëlqen në fund, Legia shpëton një pikë

- Bota Sot

Krasniqi shkëlqen në fund, Legia shpëton një pikë

Legia Varshava ka arritur të shmangë humbjen në udhëtim ndaj Arka Gdynias, duke barazuar 2:2 në kuadër të javës së 20-të të elitës së futbollit polak.

Heroi i mbrëmjes për skuadrën nga Varshava ishte Ermal Krasniqi, i cili me një paraqitje fantastike në minutat e fundit të ndeshjes, u shndërrua në faktor vendimtar për rezultatin final.

Reprezentuesi i Kosovës tregoi qartazi formën e tij të mirë, duke regjistruar dy asistime brenda pak minutash. Në minutën e 90-të, Krasniqi shërbeu saktë për Emre Çolak, i cili realizoi golin që rihapi takimin (2-1).

Vetëm pak çaste më vonë, e njëjta dyshe bashkëpunoi sërish, ku pas një tjetër asistimi të Krasniqit, Çolak shënoi në minutën e 94-të, duke i siguruar Legias një pikë shumë të vlefshme nga kjo transfertë e vështirë.

Me këto dy asistime, 27-vjeçari tani numëron katër asistime dhe dy gola në 16 paraqitje në kampionatin polak, duke konfirmuar rëndësinë e tij në skuadër dhe rolin gjithnjë e më të madh në repartin ofensiv të Legias.

Legia Varshava vazhdon garën në kampionat, ndërsa Krasniqi po dëshmon se është një nga elementët kyç të ekipit këtë sezon.



Lexoni të gjitha në Bota Sot