Barcelona ka regjistruar një fitore bindëse në “Camp Nou”, duke mposhtur Mallorca-n me rezultat 3:0, në një ndeshje ku katalanasit dominuan nga minuta e parë deri në fund.
Mallorca nuk arriti të ishte konkurruese.
Sulmuesi Vedat Muriqi mbeti thuajse i padukshëm në fushë dhe u zëvendësua pas 77 minutash lojë.
Barcelona e hapi rezultatin në minutën e 29-të me golin e Robert Lewandowskit.
Epërsia u dyfishua në minutën e 61-të, kur Lamine Yamal realizoi një gol nga rreth 25 metra, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë të portës.
Shfaqje mbresëlënëse pati edhe 18-vjeçari Marc Bernal, i cili në minutën e 83-të mashtroi mbrojtjen e Mallorca-s dhe shënoi me shumë gjakftohtësi, duke vulosur fitoren përfundimtare të Barcelonës.
Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona kryeson renditjen me 58 pikë, ndërsa Mallorca gjendet në pozitën e 15-të me 24 pikë, pas javës së 23-të të kampionatit spanjoll.