Më shumë se një vit pa prerë flokët, ja kur pritet të qethet tifozi

- Bota Sot

Më shumë se një vit pa prerë flokët, ja kur pritet të qethet tifozi

Manchester United po përjeton një moment të artë nën drejtimin e Michael Carrick, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi pas suksesit 2-0 ndaj Tottenhamit në Premier League.

Përveç entuziazmit sportiv, kjo seri pozitive ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe një histori të veçantë që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Bëhet fjalë për tifozin viral të njohur si ‘TheUnitedStrand’, emri i vërtetë i të cilit është Frank Ilett. Ai ka më shumë se një vit që nuk i ka prerë flokët, si pjesë e një premtimi të pazakontë: do t’i presë vetëm atëherë kur Manchester United të fitojë pesë ndeshje radhazi.

Me fitoren ndaj Tottenhamit, “Djajtë e Kuq” janë vetëm një hap larg realizimit të kësaj serie, duke e bërë gjithnjë e më reale mundësinë që Frank të përmbushë më në fund premtimin e tij.

Ndeshja vendimtare pritet të luhet më 10 shkurt 2026, kur United do të përballet me West Ham United në kampionat.

Nëse skuadra e Carrick arrin të marrë edhe këtë fitore, tifozit viral do t’i vijë momenti i shumëpritur: prerja e flokëve pas më shumë se një viti. Një detaj simbolik, por që tregon sa fort lidhen tifozët me ecurinë e ekipit të tyre dhe sa ndikim ka rikthimi i rezultateve pozitive te Manchester United.

Historia e ‘TheUnitedStrand’ është kthyer në një metaforë argëtuese të ringritjes së klubit: sa më shumë fitore për United, aq më afër gërshërëve është tifozit i famshëm i rrjeteve sociale. Një fitore tjetër dhe premtimi njëvjeçar i tifozit viral të Manchester United do të marrë fund.



Lexoni të gjitha në Bota Sot