Kenan Yildiz ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Juventusin deri në vitin 2030, një lëvizje që është pritur me entuziazëm të madh edhe nga trajneri Luciano Spalletti.
Tekniku italian e cilësoi këtë zhvillim si “një ditë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Juventusit”, duke theksuar rolin kyç që 20-vjeçari ka tashmë në projektin bardhezi.
Spalletti, i njohur për marrëdhënien e ngushtë me lojtarët e tij, nuk i ka kursyer vlerësimet për yllin turk, të cilin e ka quajtur me dashuri “një alien” – në kuptimin më pozitiv të fjalës.
Sipas tij, Yildiz është bërë lider i skuadrës pavarësisht moshës së re, duke spikatur për cilësitë teknike, aftësinë në duele një kundër një dhe ndikimin e menjëhershëm në lojë.
“Yildiz është diçka e veçantë. Ai ka aftësinë të krijojë avantazh në çdo moment dhe kjo i jep skuadrës një shkëndijë për të ndërtuar diçka të rëndësishme,” u shpreh Spalletti, duke shtuar se personaliteti dhe sjellja e tij brenda grupit e bëjnë edhe më të vlefshëm.
Kontrata e re e Yildiz e bën atë një nga lojtarët më të paguar të skuadrës, me rreth 6 milionë euro neto në sezon, trefish më shumë se marrëveshja e mëparshme. Gjithashtu, ekziston opsioni për zgjatje edhe për një sezon tjetër, deri në vitin 2031.
Pas përvojave të komplikuara të Juventusit me rinovimet e yjeve të rinj në të kaluarën, marrëveshja me Yildiz shihet si një sinjal i fortë besimi dhe një investim serioz për të ardhmen e klubit.
Bardhezinjtë tashmë po ndërtojnë projektin e tyre rreth talentit turk, i cili pritet të jetë një nga fytyrat kryesore të Juventusit për vitet në vazhdim.