Ka ndeshje që harrohen me kalimin e viteve, por ka edhe të tilla që mbeten përgjithmonë në kujtesë.
Për Ardit Shaqirin, sot trajner i moshave te Struga Trim&Lum, një e tillë ishte 20 janari i vitit 2010, dita kur si futbollist i Gramozit të Ersekës u përball me Real Madridin e yjeve botërorë.
Gramozi sapo kishte shkruar histori, duke u ngjitur për herë të parë në Superligën shqiptare. Falë bashkëpunimit të pronarëve të “TACI Oil” me Silvio Berlusconin dhe Milanin, si dhe lidhjeve mes Adriano Gallianit dhe Florentino Perezit, u arrit marrëveshja që në Tiranë të zhvillohej një miqësore luksi për Trofeun “Taci Oil”, Gramozi – Real Madrid.
“Në fillim nuk e besoja se do luanim vërtet”, kujton Shaqiri. Por gjithçka ndryshoi në momentin kur në fushën e “Qemal Stafës” hynë Cristiano Ronaldo, Benzema, Raúl, Guti, Kaká, Marcelo…
Një listë emrash që deri atëherë i kishte parë vetëm në televizor.
“Në fillim ndjenja ishte e papërshkrueshme. I shihje ata yje përballë dhe dukej e çuditshme. Por sapo nisi loja, gjithçka u bë normale, si çdo ndeshje tjetër. U fokusova vetëm te loja”, tregon ai.
Edhe pse Real Madridi luante pa intensitet maksimal, cilësia ishte evidente.
Shaqirit i lanë mbresa të veçanta dy emra: Guti, me të cilin pati disa duele direkte, dhe Kaká, jo vetëm për klasën në fushë, por edhe për qetësinë dhe korrektësinë. “Pas një fauli shumë të rrezikshëm nga një lojtar i yni,
Kaká nuk reagoi fare. U ngrit dhe vazhdoi lojën, pa asnjë ankesë.”
Një tjetër detaj që e bën këtë mbrëmje edhe më të veçantë është fanela. Ardit Shaqiri e ndërroi atë me Álvaro Arbeloan, sot trajner te Real Madridi, duke e ruajtur si kujtim nga një ndeshje që do ta mbajë mend gjithë jetën.
Një histori që tregon se futbolli, përveç trofeve dhe rezultateve, dhuron edhe momente unike që mbeten përgjithmonë pjesë e jetës së një sportisti.