Gjermani: SPD për një shtet social me më efikasitet

- Bota Sot

Gjermani: SPD për një shtet social me më efikasitet

Partia socialdemokrate (SPD) synon të gjejë zgjidhje për krizën aktuale pa hequr dorë nga parimet bazë të shtetit social. Kjo u theksua në mbledhjen e socialdemokratëve në fundjavë në Berlin.

Si mund të bëhet shteti social më efekas pa cënuar të drejtat e punëtorëve? Bashkëkryetari i SPD-së dhe njëkohësisht zëvendëskancelar dhe ministër i Ekonomisë, Lars Klingbeil, përqendrohet në modele të reja financimi duke tërhequr vëmendjen kundër shkurtimeve sociale.

Kreu i SPD-së, Lars Klingbeil, nuk u jep shumë rëndësi thirrjeve nga Unioni Kristiandemokrat/Kristiansocial për të stimuluar ekonominë në vështirësi duke shtuar orët e punës dhe me shkurtime sociale. "Duke bërë gjithmonë sikur çmontimi i shtetit social dhe çmontimi i të drejtave të punëtorëve do të na forocojë ekonomikisht – unë nuk pajtohem fare me këtë, dhe kjo është qasje e gabuar," tha ai në programin "Bericht aus Berlin" të ARD-së.

Reformat sociale janë subjekt i një debati të ndezur për muaj me radhë në sfondin e dobësimit të ekonomisë dhe shpenzimeve të larta qeveritare. Në verë, Kancelari Friedrich Merz (CDU) deklaroi: "Shteti social siç e njohim sot nuk është më i qëndrueshëm financiarisht duke pasur parasysh performancën tonë ekonomike."

Klingbeil tani e quajti "krejtësisht të gabuar" tu thuash njerëzve që punojnë në këtë vend, se duhet të bëjnë më shumë përpjekje.

Klingbeil mbështeti propozimet e partisë së tij për të financuar shëndetësinë dhe kujdesin jo vetëm nga pagat dhe rrogat, siç ka qenë deri tani, por edhe nga fitimet prej kapitalit ose nga të ardhurat prej qirave. Qëllimi është ulja e kontributeve. "Kjo është një ofertë për diskutim që kemi. Ne mendojmë se është e drejtë ta bëjmë këtë," tha ai.

Shtet i mirëqenies sociale me efikasitet të lartë

Bashkëdrejtuesja e partisë SPD, Bärbel Bas, kritikoi në një fjalim parimor në mbledhjen e mbajtur në selinë Willy Brandt të SPD-së, se shteti social dhe mirëqenia po damkosen si frenë për rritjen ekonomike. Konkretisht, Bas kritikoi idetë politike për të hequr qoftë mundësinë e marrjes së raportit mjekësor me telefon, të drejtën e punës me kohë të pjesshme dhe rimbursimin e kostove për trajtimet dentare. "Të gjitha këto janë goditje shkatërrimtare për të drejtat e punëtorëve." Bas nuk përmendi partnerin kristiandemokrat të koalicionit qeverisës, nga radhët e të cilit vijnë të tilla propozime.

Klingbeil tha, se koalicioni qeverisës ka rënë dakord me Unionin Konservator për të ristrukturuar gjithashtu sistemet e sigurimeve shoqërore. "Por atë që ne në SPD nuk do të lejojmë është që kjo të bëhet në kurriz të punonjësve dhe të punëtorëve në këtë vend." Qëllimi është ta bëjmë shtetin e mirëqenies më efekas dhe të sigurojmë që përfitimet tu arrijnë saktësisht njerëzve që kanë nevojë më shumë nevojë për to.

Socialdemokratët synuan të gjejnë në mbledhjen vjetore të partisë në Berlin këtë fundjavë zgjidhje për problemet aktuale që po kalon vendi duke mos u shkëputur nga parimet themelore të partisë me traditë në Gjermani. Në këtë kontekst u theksua edhe suksesi e reformës radikale në sistemin social të emërtuar si "Agenda 2010” të ndërmarrë nga qeveria socialdemokrate e Gerhard Schröderit. Kjo reformë pati efekte positive, pavarësisht që i kushtoi SPD-së humbjen e pushtetit. Duke theksuar, se SPD është një parti që del më e fortë nga krizat, synimi i socialdemokratëve është të forcojnë sërish pozitën në elektorat duke i trajtuar konform parimeve çështjet e mprehta të kohës. Vitet e fundit SPD ka pasur rënie. Sipas sondazheve të fundit për SPD do të votonin rreth 16 përqind e elektoratit. /DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot