500 ditë pa prerje flokësh

- Bota Sot

500 ditë pa prerje flokësh

Tifozi i Manchester United, Frank Ilett, është kthyer në një sensacion viral në rrjetet sociale falë sfidës së tij të pazakontë: të mos presë flokët derisa klubi i zemrës të fitojë pesë ndeshje radhazi. I njohur online si “The United Strand”, Ilett ka kaluar gati 500 ditë pa prerje flokësh, ndërsa United ka vuajtur me rezultate jo të qëndrueshme gjatë 16 muajve të fundit. Sfida e tij mund të marrë fund së shpejti, nëse “Djajtë e Kuq” arrijnë fitoren e pestë radhazi kundër West Ham në Premier League, raporton DailyMail.

Që nga nisja e sfidës në tetor të vitit 2024, flokët e Ilett janë bërë simbol I frustrimit, durimit dhe humorit të tifozëve të United. Ai ka fituar mbi 1.5 milion ndjekës në rrjetet sociale dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve rivalë. Sfida ka sjellë gjithashtu bashkëpunime me marka të njohura, ndërsa ndeshjen ndaj West Ham ai planifikon ta transmetojë drejtpërdrejt, në pritje të momentit të shumëpritur të prerjes së flokëve.

Në rast fitoreje të Manchester United, Ilett ka bërë të ditur se flokët e tij do të dhurohen për bamirësi, konkretisht për Little Princess Trust, një organizatë britanike që krijon paruke për fëmijë që kanë humbur flokët për shkak të sëmundjeve. “Flokët e mi tani janë rreth 25 centimetra të gjatë, mjaftueshëm për t’u dhuruar,” ka thënë ai, duke shtuar se përmes kësaj nisme është ngritur edhe një fond bamirës për të mbështetur kauzën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot