“Skifterët” shqiptarë vodhën 530 mijë euro çanta në shtëpinë e prezantueses së njohur, dënohet një prej tyre

- Bota Sot

“Skifterët” shqiptarë vodhën 530 mijë euro çanta në shtëpinë e prezantueses së njohur, dënohet një prej tyre

Hamburg – Prezantuesja dhe modelja holandeze Sylvie Meis, e cila prej vitesh jeton në Gjermani, ishte e pranishme këtë javë në seancën gjyqësore për vjedhjen që ndodhi në banesën e saj luksoze në Hamburg gjatë verës së vitit 2023, ndërkohë që ajo ndodhej me pushime në Ibiza.

Sipas hetimeve të Policisë së Hamburgut, vjedhja u krye nga një grup autorësh shqiptarë, ndërsa një prej tyre, 42-vjeçari Ermal M., u arrestua dhe u paraqit para gjykatës. Autorët hynë me forcë në apartamentin e saj në katin e pestë, duke marrë 22 çanta luksoze, me një vlerë totale rreth 530 mijë euro.

Gjatë seancës, Sylvie Meis përdori të drejtën e fjalës për të rrëfyer pasojat psikologjike të ngjarjes. Ajo theksoi se, pavarësisht dëmshpërblimit nga siguracioni, ende përjeton frikë, ankth dhe sulme paniku. Prezantuesja shtoi se ngjarja kishte ndikuar edhe tek djali i saj 19-vjeçar, duke e bërë përjetimin familjar edhe më të vështirë.

I arrestuari Ermal M. u dënua me katër vite burg. Ai kërkoi falje në gjykatë, duke pretenduar se kishte pasur vetëm një rol dytësor në vjedhje.

Pas përfundimit të procesit, Sylvie Meis po përpiqet të rikthehet në jetën e përditshme, megjithëse sfidat emocionale pas ngjarjes vazhdojnë të jenë të pranishme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot