Vullnet Ameti ka realizuar ëndërrën e tij, teksa sot i njëjti ka debutuar me ekipin e parë të FC Shkupit, skuadër ku edhe ka filluar hapat e parë me futbollin.
Ameti, i lindur me 25 janar të vitit 2009 ka kaluar të gjitha grupmoshat me skuadrën nga Çairi, ndërsa aktualisht është edhe pjesë e ekipit U17 të udhëhequr nga Sedat Berisha.
Ai së fundmi ka marrë ftesë edhe për te përfaqësuesja U17 e Maqedonisë, duke dëshmuar së bëhet fjalë për një futbollistë shumë premtues, që përmes ndeshjeve me ekipin e parë këtë edicion, do të zgjojë edhe interesimin e skuadrave tjera.
Vullnet Ameti dallohet për shpejtësinë, inteligjencën në lojë dhe potencialin e madh që posedon, cilësi këto që e dallojnë atë në fushën e blertë.
Ai sot kundër Tikveshit bëri hapin e parë në karrierën e tij profesionale, që pritet të jetë e bujshme, bazuar në cilësitë dhe synimet që ka ky super talent.
Ameti në lojë u inkuadrua si zëvendësim në minutën e 60-të, duke bërë një paraqitje solide, kjo bazuar edhe në dallimin mes skuadrave në fushën e blertë.
Në fund FC Shkupi pësoi disfatë 6:0, mirëpo me siguri se ka përfituar talente të reja, që pritet të bartin barën kryesore të skuadrës “bardheblu” nga Çairi, që duke pasur parasysh situatën aktuale në të cilën ndodhet, patjetër që në një periudhë më afatgjate do të duhej të përqëndrohet tek shkolla e saj dhe futbollistët e rinj, e që realisht FC Shkupi i ka me bollëk, kjo falë shkollës që funksionon në kuadër të këtij klubi.