Skënderbeu u detyrua të ndërhyjë në merkaton e dimrit, pasi katër futbollistë të huaj hasën probleme në rikthimin në Korçë pas pushimeve të fundvitit. Por mesa duket, jo të gjithë do të rikthehen për të vijuar karrierën te skuadra bardhëkuqe.
Situata e tyre, për shkak të vështirësive me vizat, ka qenë një nga temat më të diskutuara ditët e fundit në kampin korçar. Megjithatë, siç është bërë e ditur edhe më herët, dy prej tyre janë bashkuar tashmë me skuadrën.
Bëhet fjalë për Nasri dhe Baba Musa, të cilët kanë nisur stërvitjen nën urdhrat e stafit teknik dhe pritet të jenë pjesë e planeve të trajnerit Ernest Gjoka në vijim.
Ndërkohë, Luis Fernando Diaz Vaskes nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut.
Sipas burimeve nga klubi, ka qenë vetë futbollisti kolumbian, një nga “shtyllat” e mbrojtjes, që ka kërkuar zgjidhjen e bashkëpunimit, duke njoftuar drejtuesit se, për arsye personale dhe familjare, nuk do të vazhdojë aventurën me “ujqërit e dëborës”.
Sa i përket Randit, pritet që ai t’i bashkohet grupit gjatë kësaj jave, duke plotësuar kështu kontingjentin e lojtarëve të huaj në dispozicion të stafit teknik.
Në planin sportiv, Skënderbeu dhe Apolonia do të mbyllin fazën e dytë të kampionatit përballë njëra-tjetrës, në një ndeshje mjaft të rëndësishme që do të luhet të shtunën, në orën 16:30, në stadiumin e Korçës. Ky takim konsiderohet një test i fortë për skuadrën e drejtuar nga Gjoka, e cila synon rikthimin te fitorja dhe ruajtjen e distancës me ndjekësit në renditje.
Korçarët nuk do të jenë të plotë për këtë sfidë, pasi reparti i mbrojtjes do të ketë mungesa të rëndësishme për shkak të kartonëve. Klevis Shaqe dhe Marko Ramos janë të skualifikuar, pasi kanë plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë, duke e vënë prapavijën në vështirësi serioze.
Në këto kushte, trajneri Gjoka do të duhet të gjejë zgjidhje alternative, duke adaptuar lojtarë të tjerë në mbrojtje. Gift mbetet aktualisht i vetmi mbrojtës i gatshëm, ndërsa mungesa e Shaqes pritet të kompensohet pjesërisht nga Ergi Zenullari, i cili shihet si një nga alternativat kryesore për të marrë një rol aktiv në repartin defensive.