Një tjetër konkurrent po vjen.
Arman Durmishi është një lojtar tepër i ri, vetëm 17 vjeç, por duket i destinuar për një të ardhme të madhe në kombëtaren shqiptare.
Sulmuesi adoleshent po shkëlqen fort këtë sezon dhe ja ku u tregua tepër i rëndësishëm për ekipin e tij, që nuk është tjetër përveçse Juventusi.
Durmishi shënoi gol në fitoren 3-0 ndaj Interit në Milano, në ndeshjen e kthimit të Kupës së Italisë, duke ndihmuar të vetët që të kualifikoheshin për në gjysmëfinale.
Të mendosh se është 17 vjeç dhe luan për ekipin U20 të “zebrave”.
Kundër Interit pati shënuar edhe në çerekfinalen e parë të luajtur në Torino dhe të fituar 2-0.
Pra, shanset janë që të merret trofeu, sidomos me një Durmishi në formë të tillë.
Jo më kot në rrjetet sociale juventine, ai po cilësohet si “Mbreti i Shqipërisë”.
Sulmuesi shqiptar ka edhe 6 gola në vetëm 12 ndeshje në Serinë A të Shpresave, si dhe ka shënuar një gol e ka dhënë një asist në Championsin për të rinj.
Pasi realizoi dy gola ndaj Veronës në ndeshjen e kaluar në kampionat, adoleshenti kuqezi u zgjodh në formacionin e javës së 14-të, dhe është padyshim njëri nga lojtarët më të mirë.
Në total, Arman Durmishi ka 9 gola dhe një asist në 21 ndeshje këtë sezon, ndërsa ka luajtur tri herë për Shqipërinë U19 vitin e kaluar.