Nevil Dede reagon pas ndeshjes me Prishtinën e Re: Nxjerrja e pasaportës dhe deklarata ‘jam shqiptar’ - reagim spontan

- Bota Sot

Nevil Dede reagon pas ndeshjes me Prishtinën e Re: Nxjerrja e pasaportës dhe deklarata ‘jam shqiptar’ - reagim spontan

Nevil Dede, kryetrajner i Ferizajt, sot u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen me Prishtinën e Re në kuadër të javës së 20-të të elitës së futbollit të Kosovës.

Dede u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Genc Nuza disa minuta para se të mbyllet ndeshja.

Ferizaj pësoi humbje (1:0) në minutën e 90+8 nga Prishtina e Re.

“Reagim! Sot, në ndeshjen kundër Prishtina e Re, reagimi im ishte emocional. Në tri situata të qarta, sipas vlerësimit tim teknik, kundërshtari duhej të ndëshkohej me karton të dytë të verdhë dhe në një rast me të kuq.

Plus perspektiva e shume aksioneve premtuese per ne. Kur kjo nuk ndodhi, ndjeva se trajtimi ndaj ekipit tim ishte i pabarabartë.

Nxjerrja e pasaportës dhe deklarata ‘jam shqiptar’ ishte një reagim spontan, i lindur nga ndjenja se vendimet po na penalizonin në mënyrë të padrejtë. Nuk ishte një akt përçarës, as provokim politik. Ishte një reagim i një trajneri që ndjeu padrejtësi.

Megjithatë, nëse forma e reagimit tim ka shkelur rregulloren apo është interpretuar si e papërshtatshme, e pranoj përgjegjësinë për mënyrën se si reagova. Emocioni i ndeshjes nuk duhet të tejkalojë kornizën disiplinore.

Por dua të jem shumë i qartë: Si trajner FC Ferizaj kërkoj vetëm barazi dhe drejtësi sportive. Nëse ka elementë që perceptohen si diskriminues apo tendenciozë, ato duhet të hetohen institucionalisht, POR jo të injorohen.”

Sa i përket kartonit të dytë për pozicionimin tim, dua të theksoj se fusha nuk kishte vijëzim të qartë të zonës teknike, çka krijoi paqartësi mbi kufizimin hapësinor. Nuk pati mosbindje me qëllim, por situatë të paqartë në organizim.

Si përfundim:

pranoj që reagimi ishte emocional;

theksoj respekt për institucionin;

kërkoj sqarim procedural (mungesa e vijëzimit të zonës teknike)!

Me respekt për të gjithë komunitetin e futbollit shqipfolës!”, reagon Nevil Dede.



Lexoni të gjitha në Bota Sot