Ky është portieri i Kosovës që po i bën problem Xherdan Shaqirit

- Bota Sot

Ky është portieri i Kosovës që po i bën problem Xherdan Shaqirit

Portieri i Kosovës, Amir Shaipi, po shndërrohet në makth për kapitenin e FC Baselit, Xherdan Shaqiri.

Sikurse më 9 nëntor të vitit të kaluar, edhe sot futbollisti Shaqiri dështoi nga pika e bardhë përballë Shaipit. 

Në përballjen e nëntorit, Shaipi ia priti penalltinë në minutën e 27-të, duke i dhënë fitoren FC Luganos me rezultat 0:1 ndaj Baselit.

Edhe në ndeshjen e sotme, Shaipi ishte sërish protagonist. Ai ia mbrojti penalltinë Shaqirit, ndërsa pas përsëritjes së gjuajtjes, topi përfundoi mbi portë. Takimi u mbyll baras 1:1, por portieri nga Kosova mbeti figura kyçe.

Pas javës së 25-të në elitën e futbollit zviceran, Lugano renditet në vendin e tretë me 43 pikë, ndërsa Baseli është i katërti me 40 pikë.

Shaipi, padyshim, po bëhet “problemi” më i madh për Shaqirin nga pika e bardhë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot