Spaleti humbet një sulmues për transfertën me Gallatasarain, por i rikthehet Turam

- Bota Sot

Spaleti humbet një sulmues për transfertën me Gallatasarain, por i rikthehet Turam

Juventusi luan në transfertë me Gallatasarain ndeshjen e parë të “play off”-it të Champions dhe Luçiano Spaleti duhet të bëjë llogaritë edhe pa Xhonatan David.

Sulmuesi kanadez, ish-lojtar i Lilës, ishte parashikuar titullar në Stamboll, por një problem muskulor në kofshë, konkretisht një shqetësim në ije, e ka detyruar të mos grumbullohet për sfidën kundër Osimhen dhe shokëve. Stafi mjekësor i Juventusit ka preferuar të mos rrezikojë, edhe pse bëhet fjalë për një problem që nuk konsiderohet serioz dhe do të monitorohet ditë pas dite.

Situata në repartin ofensiv bëhet edhe më e ndërlikuar, duke qenë se prej kohësh mungojnë për arsye fizike edhe Dushan Vlahoviç dhe Arkadiuz Milik. Me tre sulmues jashtë, Spaleti është i detyruar të rishikojë zgjidhjet në prag të një transfertë shumë të vështirë.

David mund të rikthehet që të shtunën në kampionat ndaj Komos, nëse jo, atëherë për ndeshjen e kthimit kundër Gallatasarait. Ndërkohë, një lajm pozitiv për Juventusin është rikthimi i Kefren Turam, i cili ka lënë pas kontuzionin e ditëve të fundit dhe mund të marrë vendin në mesfushë përkrah kapitenit Manuel Lokateli.

Në sulm, me David jashtë, favorit për një fanellë titullari është Lois Openda. Juventusi nuk zhvilloi seancë zyrtare përpara nisjes, me skuadrën që udhëtoi drejt Stambollit në orët e para të pasdites.



Lexoni të gjitha në Bota Sot