Transmetuesi publik gjerman DW mbyll shërbimin grek, shkurton 160 vende pune

- Bota Sot

Transmetuesi publik gjerman DW mbyll shërbimin grek, shkurton 160 vende pune

Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle (DW) do ta mbyllë shërbimin në gjuhën greke, do të konsolidojë një pjesë të programeve në gjuhën gjermane dhe do të shkurtojë rreth 160 vende pune me orar të plotë, pas uljes së financimit federal për vitin 2026, njoftoi të mërkurën ky institucion, transmeton KosovaPress.

Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, vendimi u mor në një mbledhje të përbashkët të jashtëzakonshme të Këshillit të Transmetimit, Bordit Administrativ dhe menaxhmentit, ku u miratua një paketë gjithëpërfshirëse masash për uljen e kostove.

Në buxhetin federal për vitin 2026, Gjermania e ka ulur subvencionin për DW për 10 milionë euro, duke e çuar financimin total në 415 milionë euro. Një mungesë shtesë prej 11 milionë eurosh, si pasojë e rritjeve kolektive të pagave që nuk janë kompensuar, e ka çuar shumën totale të kursimeve të nevojshme në 21 milionë euro.

“Rreth 160 vende pune me orar të plotë preken, megjithëse numri përfundimtar mund të ndryshojë. Nuk do të ketë largime nga puna”, thuhet në deklaratën e DW.

DW do të ndërpresë shërbimin në gjuhën greke pas më shumë se 60 vitesh. “Greqia është prej kohësh anëtare e Bashkimit Evropian dhe një demokraci stabile me një peizazh të larmishëm mediatik, prandaj DW duhet të bëjë shkurtime në këtë fushë”, theksohet më tej.

Kryetari i Këshillit të Transmetimit të DW, Karl Justen, deklaroi se “DW duhet të mbetet një zë i fuqishëm për lirinë, veçanërisht në tregjet mediatike të kufizuara si Rusia dhe Irani. Për ta arritur këtë, nevojitet financim i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Për shkak të shkurtimeve, transmetuesi do të përballet me humbje të ndjeshme në shtrirje”.

Justen e cilësoi “veçanërisht shqetësues” faktin që financimi po reduktohet “në një kohë kur Rusia dhe Kina po investojnë fuqishëm në mediat e tyre shtetërore propagandistike, ndërsa tërheqja e SHBA-së nga transmetimi ndërkombëtar po krijon boshllëqe të tjera”, duke paralajmëruar se “si perspektiva gjermane ashtu edhe ajo Evropiane do të dobësohen në arenën ndërkombëtare”.

Transmetuesi Deutsche Welle njoftoi se do të ristrukturojë shërbimet në gjuhën gjermane duke bashkuar DW German me DË Learn German, pothuajse duke përgjysmuar buxhetin dhe duke krijuar një format të ri të integruar për nxënësit e nivelit B1/B2 jashtë rajonit DACH (Gjermania, Austria, Zvicra).

Po ashtu, DW do të ulë buxhetet për shërbimet në portugalisht për Afrikën dhe në dari/pashto, do të reduktojë edicionet televizive në spanjisht (duke ruajtur transmetimet në kohën kryesore) dhe do të ndërpresë disa programe në rusisht, portugalisht dhe në formate shumëgjuhëshe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot