Postecoglou: Kalimi te Nottingham Forest ishte vendim i gabuar

- Bota Sot

Postecoglou: Kalimi te Nottingham Forest ishte vendim i gabuar

Trajneri australian Ange Postecoglou e ka pranuar publikisht se marrja e drejtimit të Nottingham Forest ka qenë një vendim i gabuar, duke marrë përgjegjësinë për periudhën shumë të shkurtër në krye të klubit anglez.

Gjashtëdhjetë vjeçari ishte emërua në shtator si pasues i Nuno Espirito Santo, por ishte shkarkuar vetëm tridhjetë e nëntë ditë më vonë nga pronari i klubit, Evangelos Marinakis.

Gjatë asaj kohe, Forest kishte humbur gjashtë nga tetë ndeshjet nën drejtimin e tij.

Postecoglou ka thënë se nxitimi për t’u rikthyer në stol pas largimit nga Tottenham Hotspur kishte ndikuar në vendimin e tij.

“Nuk ka kuptim të them se nuk pata kohë. Nuk duhej të shkoja aty. Ishte vendim i gabuar nga ana ime dhe e marr përgjegjësinë”, është shprehur ai.

Sipas tij, kalimi te Forest erdhi shumë shpejt pas eksperiencës me Tottenham dhe në një moment kur klubi ishte mësuar me një mënyrë tjetër pune.

Aktualisht pa klub, Postecoglou ka përjashtuar mundësinë e rikthimit te Celtic, ku pati një periudhë shumë të suksesshme nga viti 2021 deri në 2023.

“E dua Celticun, është klub i mrekullueshëm. Nëse do të isha më i ri, ndoshta do të qëndroja më gjatë.

Por unë nuk jam tip që kthehem pas. Hapi i radhës do të jetë diçka e re, diku ku mund të bëj ndikim dhe të fitoj trofe”, ka deklaruar ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot