“Spaleti ikën”, revolucion te Juve pas disfatës në Champions

- Bota Sot

“Spaleti ikën”, revolucion te Juve pas disfatës në Champions

Zhgënjim i madh në shtëpinë e Juventusit pas humbjes shumë të rëndë në Champions kundër Gallatasarajit. Ndeshja ndaj turqve ishte vënë në shinat e duhura dhe në pushim Juve kryesonte 2-1 falë dopietës së një Kopmeinersit të rigjetur. Por në pjesën e dytë skuadra e drejtuar nga Luçiano Spaleti u përmbys dhe u “shkatërrua” nga vendasit.

5-2 rezultati përfundimtar në favor të verdhekuqve, që hedhin një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ave të “Champions League”. Ndërkohë, në kampin bardhezi mbizotëron zhgënjimi pas disfatës europiane. Edhe një herë, në bankën e të akuzuarve përfundon Spaleti për disa zgjedhje taktike dhe për zëvendësimet që ndikuan negativisht në ndeshje. Kabal, që zëvendësoi Kambiason, mori dy kartonë të verdhë brenda vetëm 20 minutash, duke e lënë skuadrën në inferioritet numerik.

Shumë tifozë bardhezi në platformën “X” po kërkojnë shkarkimin e trajnerit, edhe pse klubi vazhdon t’i japë besim të plotë. Tani fokusi kalon te Komo, të shtunën, në ndeshjen hapëse të javës së 26-të të Serie A.

Jildiz me shokë duhet patjetër të fitojnë, për të mos e komplikuar edhe më shumë garën për vendin e katërt, i fundit që siguron pjesëmarrjen në Championsin e sezonit të ardhshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot