Tudor i bindur se Tottenham do të mbetet në Premier League

- Bota Sot

Tudor i bindur se Tottenham do të mbetet në Premier League

Trajneri i ri i Tottenham Hotspur, Igor Tudor, është shprehur “100%” i bindur se skuadra londineze do të mbetet në Premier League edhe sezonin e ardhshëm.

Tudor do ta drejtojë Tottenham për herë të parë këtë fundjavë në derbin e madh ndaj rivalit të përbetuar Arsenal, që aktualisht kryeson kampionatin.

"Spurs" ndodhen në vendin e gjashtëmbëdhjetë, vetëm pesë pikë mbi zonën e rënies nga liga, situatë që ka çuar në shkarkimin e trajnerit të mëparshëm Thomas Frank dhe emërimin e Tudor deri në fund të sezonit.

Në konferencën për media, trajneri kroat e ka minimizuar presionin e luftës për mbijetesë.

“100% do të qëndrojmë në Premier League”, ka thënë Tudor. “Nuk është e rëndësishme të mendosh për rënien apo për vendin e parë. Duhet të fokusohemi në punën e përditshme. Pozita në tabelë është pasojë e asaj që bën gjatë javës dhe të dielën”. 

Ai ka theksuar se diferenca prej pesë pikësh nga zona e rrezikut nuk duhet të ndikojë në qasjen e ekipit. “Pesë pikë, dhjetë apo dy, është njësoj. Duhet të jemi të përqendruar”, është shprehur ish-tekniku i Juventus. 

Tudor ka shtuar se prioriteti i tij është krijimi i një grupi të bashkuar.

“Nuk është çështje sistemi. Është e rëndësishme të bëhemi ekip, të kujdesemi për njëri-tjetrin.

Pastaj del në pah cilësia. Kjo skuadër ka potencial dhe energji”, ka thënë ai. 

Trajneri kroat e ka konfirmuar se ka vetëm trembëdhjetë lojtarë në dispozicion për shkak të lëndimeve, ndërsa mbrojtësi Cristian Romero mbetet i suspenduar pas kartonit të kuq të dytë këtë sezon.

Tudor nuk e ka zbuluar se kush do ta mbajë shiritin e kapitenit në derbi. “Do ta shihni të dielën”, ka thënë ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot