Egnatia-Dinamo, ndeshja hapëse e javës së 25-të në Abissnet Superiore, e luajtur në Rrogozhinë, është mbyllur 1-0 për vendasit, pas një goli në shtesën e pjesës së dytë.
Momenti më deçiziv i pjesës së parë ndodhi në minutën e 10-të, ku pas një kontakti në zonë mes Bernard Berishës dhe portierit vendas Mario Dajsinani, arbitri kryesor i takimit, Enea Jorgji, drejton gishtin nga pika e bardhë e penalltisë.
Në momentin që Dejvi Bregu po bëhej gati për të ekzekutuar penalltinë, arbitri Jorgji anullon penalltinë dhe kartonin e verdhë për Dajsinanin, pasi u pa se Berisha ishte në pozicion jashtë loje. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
Edhe pjesa e dytë ishte në ritmin e të parës, ku munguan rastet serioze për të dy ekipet. Rreziku i parë serioz i Egnatias do të vinte në minutën e 75-të, ku pas një aksioni model, goditja e Altin Kryeziut në fund ndalet nga Aldo Teqja.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej 0-0, Egnatia gjen golin në minutën e 90+2′ në shtesë, ku pas një aksioni të gjatë dhe krosimit në zonë të Albanesse, fillimisht Buric goditi shtyllën, më pas Rodrigues shtyn topin në rrjetë.
Ndeshja mbyllet 1-0. Egnatia mban vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa Dinamo që ka gjashtë javë pa fitore mban vendin e 4-të me 36 pikë.