FFM sqaron vendimet e gjyqtarit dhe incidentin në fund të ndeshjes Vardari – Bashkimi

- Bota Sot

FFM sqaron vendimet e gjyqtarit dhe incidentin në fund të ndeshjes Vardari – Bashkimi

Federata e Futbollit e Maqedonisë ka reaguar me një komunikatë zyrtare pas tensioneve në përfundim të ndeshjes së javës së 19-të në Ligën e Parë MFL ndërmjet FC Vardarit dhe FC Bashkimit.

Takimi u shoqërua me situata të nxehta në minutat e fundit, ku lojtari mysafir Rexhep Murati u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa më pas shpërtheu një përplasje mes dy pankinave në mes të fushës. Protestat e futbollistëve të Bashkimit nuk ndryshuan vendimin e gjyqtarit.

Në sqarimin e saj, FFM thekson se “në minutën e 87-të, lojtari me numrin 3 i skuadrës mysafire është ndëshkuar me karton të kuq direkt për pështyrje ndaj gjyqtarit:".

Sipas federatës, gjyqtari kryesor ishte rreth një metër larg ngjarjes, e konstatoi qartë veprimin dhe pa hezitim tregoi kartonin e kuq. Vendimi u konfirmua edhe nga gjyqtarët e VAR-it, bazuar në pamje të qarta video nga momenti i incidentit. Ky veprim u cilësua si sjellje tejet josportive.

Më pas, situata u përshkallëzua kur një zyrtar i pankinës së Bashkimit, i përjashtuar më herët gjatë pjesës së parë, hyri në mënyrë të paautorizuar në fushë dhe provokoi përballje me futbollistin e Vardarit, Boban Nikollov”.

Federata thekson se personi në fjalë nuk kishte të drejtë të hynte në fushë në asnjë rrethanë, ndërsa përplasja nisi pikërisht nga kjo ndërhyrje. Nikollov u ndëshkua me karton të verdhë, vendim që sipas FFM-së ishte i arsyetuar.

Për transparencë të plotë, FFM njofton se një përfaqësues i Bashkimit mund të vizitojë në çdo kohë qendrën VAR të federatës për të rishikuar materialin video dhe për të dëgjuar komunikimin mes gjyqtarit kryesor dhe lojtarit të përjashtuar, si dhe komunikimin mes gjyqtarëve.

“Sa i përket kohës shtesë, federata bën të ditur se ndeshja u zgjat me 10 minuta për shkak të ndërprerjeve, ndërsa shfaqja në ekranet televizive e +18 minutave ishte rezultat i një gabimi teknik të produksionit”, thuhet nga FFM.



Lexoni të gjitha në Bota Sot