Macron sulmon Orban për paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës

- Bota Sot

Macron sulmon Orban për paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Bashkimit Evropian të rrisë presionin ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë dhe të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Moskës, e cila po bllokohet nga vetoja e Hungarisë.

“Do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë”, deklaroi Macron në krah të homologut të tij finlandez, Alexander Stubb, ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e pestë.

“Duhet të ecim përpara me paketën e 20-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe diskutimet do të zhvillohen në ditët në vijim”, shtoi ai.

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re masash ndëshkuese kundër Rusisë, me synim miratimin nga ministrat e Jashtëm të BE-së para 24 shkurtit, që shënon përvjetorin e katërt të pushtimit rus të Ukrainës.

Hungaria ka njoftuar se synon të vendosë veto ndaj paketës së re të sanksioneve, derisa të rifillojnë furnizimet me naftë ruse përmes gazsjellësit Druzhba, i cili kalon nëpër Ukrainë. Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka kushtëzuar mbështetjen me këtë kërkesë.

“Angazhimet politike dhe fjala e dhënë në Këshillin e fundit Evropian duhet të respektohen. Nuk ka alternativë tjetër”, theksoi Macron.

Presidenti francez u shfaq i vendosur edhe për disbursimin e kredisë evropiane prej 90 miliardë eurosh për Kievin, e cila gjithashtu kërcënohet me veto nga Budapesti.

“Dështim strategjik, ushtarak dhe ekonomik”

Nga ana e tij, presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se agresioni rus përbën një “dështim strategjik, ushtarak dhe ekonomik” për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Putini nuk donte zgjerimin e NATO-s, por Finlanda dhe Suedia iu bashkuan aleancës”, tha Stubb, duke shtuar se Rusia po pëson humbje të mëdha në fushëbetejë.

Dy presidentët theksuan gjithashtu nevojën që vendet evropiane të forcojnë praninë e tyre mbrojtëse në Arktik, përballë ambicieve ruse dhe kineze në rajon, por edhe përballë interesave të shprehura nga Donald Trump për Groenlandën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot