Mesfushori i ri Medjen Llumnica ka nënshkruar kontratë me ekipin e parë të Malmö FF, ndërsa njëkohësisht do të huazohet te BK Olympic për sezonin 2026.
Tetëmbëdhjetë vjeçari ka firmosur kontratë trevjeçare me klubin suedez. Ai i ishte bashkuar akademisë së Malmo FF katër vite më parë nga klubi i tij i parë, LB07, dhe ka kaluar të gjitha fazat deri te skuadra U19. Kohët e fundit ai është stërvitur edhe me ekipin e parë.
Drejtori sportiv i Malmo FF, Daniel Andersson, ka deklaruar se lojtari ka bërë përparim të madh gjatë vitit të kaluar me ekipin U19 dhe se huazimi te Olympic do t’i ndihmojë të fitojë përvojën e nevojshme në futbollin e seniorëve.
"Ai ka bërë hapa të mëdhenj dhe e ka merituar kontratën me ekipin e parë. Huazimi do t’i japë atij mjetet e fundit për të kaluar me sukses në futbollin profesionist”, është shprehur Andersson.
Nga ana tjetër, Llumnica ka thënë se nënshkrimi i kontratës është realizim i një ëndrre.
“Është diçka shumë e veçantë për mua. Kjo ka qenë ëndërr që nga dita kur erdha në Malmo FF. Jam krenar që përfaqësoj këtë klub. Rruga ime nuk ka qenë e lehtë, por në akademi jam zhvilluar shumë si lojtar dhe si person”, ka thënë ai.
Llumnica më herët ka qenë i ftuar te zinxhiri i moshave te Kombëtarja e Kosovës.