23 vjet në atdhe dhe 35 vjet në mërgim (1968–2026), 58 vjet apo gati 6 dekada në shërbim të kombit dhe atdheut në rrethana të shtrënguara të regjimeve diktatoriale
Në librin e tretë, në Kapitullin II: Opinione III – Dëshmi ndër vite (Monografi), dëshiroja që përmes kësaj të bëj një lloj përshkrimi të aktiviteteve të mia me të gjitha sfidat, për t’ia mundësuar lexuesit që vetë ta vlerësojë ecurinë time nëpër faza të ndryshme, si një protagonist i asaj kohe që i takon këtij populli. Në një mënyrë, ta pasqyroj jetën e çdo qytetari të rëndomtë në ato rrethana të regjimit serbo-jugosllav, duke përfshirë disa momente që e pasqyrojnë fytyrën e vërtetë diskriminuese, nënçmuese dhe të nëpërkëmbur deri në maksimum, vetëm pse isha (ishim) shqiptar.
Në pjesën e parë flas për 23 vitet sa isha në atdhe dhe i kyçur në poste e detyra të ndryshme, sipas kërkesës së kohës dhe rrethit apo masës nga e cila rrethoja.
Shpresoj në mirëkuptimin e lexuesve se nuk është qëllimi im ta përshkruaj veten vetëm si individ, por përmes fatit tim edhe fatin, apo më shumë fatkeqësinë, e popullit tim, i cili kaloi nëpër një histori të mundimshme deri te ajo e përgjakshme nga sundimtarët serbë dhe regjimet e kombinuara që synonin të na shuanin si komb. Por, sa më shumë që rritej shtypja dhe represioni, aq më shumë ngrihej vetëdija, uniteti dhe rezistenca, brenda mundësive.
Në këtë monografi, një pjesë shumë e shkurtër nga 106 faqe, dhe edhe ashtu jo gjithçka e përfshirë, janë përshkruar vetëm disa detaje minimale, duke përfshirë disa nga më karakteristiket që e vërtetojnë shtypjen dhe mosbesimin ndaj kuadrove shqiptare, posaçërisht ndaj atyre në postet e larta, të cilat mund t’i vëreni në disa raste të përshkruara.
Veprimtaria ime profesionale, udhëheqëse, politike, sindikale dhe ushtarake në përgjithësi, e në veçanti në OHT – Organizata Hekurudhore Transportuese “Prishtina”, me seli në Fushë Kosovë. Kjo organizatë kishte mbi 3000 punëtorë pas ndarjes nga Beogradi dhe pavarësimit të saj si organizatë e pavarur, por me lidhje teknologjike në nivel të ish-Jugosllavisë, si dhe me të gjitha shtetet e Evropës, përpos Rusisë, e cila në Luftën e Dytë Botërore kishte ndryshuar dimensionet e binarëve krahasuar me shtetet e tjera evropiane për nevoja ushtarake, në mënyrë që trenat nga Evropa të mos mund të hynin drejtpërdrejt në Rusi pa ndërruar bazamentin, gjë që kërkonte kohë dhe mjete.
Kam kryer shkollën profesionale hekurudhore dhe, pas punës praktike në nyjën hekurudhore në Fushë Kosovë, nëpër të cilën qarkullonin edhe trena ndërkombëtarë të udhëtarëve dhe të mallrave, si ai ekspres Mynih–Athinë “Akropolis” dhe treni ndërkombëtar i mallrave “Dençar”, me mallra me afat të shkurtër përdorimi.
Në vitin 1966 kam kryer Shkollën e Oficerëve Rezervë në Titograd (Podgoricën e sotme) me sukses të shkëlqyer, për ta vazhduar pjesën praktike në Bërçko, në Bosnje e Hercegovinë. Diplomova në Fakultetin Hekurudhor në Beograd, sepse as atëherë e as sot një fakultet i tillë në kuadër të Universitetit të Dardanisë nuk ekzistonte.
Në politikat e inkuadrimit në këtë organizatë gjithmonë ka ekzistuar diskriminimi nacional, deri me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974, kur autonomia u ngrit në një nivel më të lartë përfaqësimi. E gjithë udhëheqja në krye të katër organizatave profesionale dhe të administratës ishte e komunitetit serb.
Dua t’i përmend disa nga detyrat dhe postet: isha kryetar i Sindikatave të Hekurudhave të Kosovës, kryetar i Sindikatave për Komunikacion e Lidhje të Kosovës për dy mandate (duke përfshirë komunikacionin rrugor, hekurudhor, ajror, postën, telefonin, telegrafin dhe komunikacionin ujor).
Kam qenë asamblist i Komunës së Prishtinës për dy mandate, në kohën e ing. Nazmi Mustafës dhe Svetisllav Jakshiqit. Sipas radhës, kryetar i Sindikatave të Hekurudhave të dy republikave dhe dy krahinave: Serbi, Mali i Zi, Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Krahina Autonome e Kosovës. Sipas organizimit vertikal sindikal, në nivel federate, isha anëtar i Kryesisë së Sindikatave për Komunikacion e Lidhje të Jugosllavisë.
Në vitin 1978 kam marrë pjesë në Kongresin e Sindikatave për Komunikacion e Lidhje të Austrisë, sipas radhës që i takonte Kosovës atëherë, si dhe kam pasur takim me kancelarin e atëhershëm austriak, Bruno Kreisky.
Në këtë udhëtim ndodhi një ngjarje e papritur. Përkthyesja që më shoqëronte ishte një grua serbe që njihte katër gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht. Një pasdite nuk ndihesha mirë dhe i tregova se nuk mund t’i shoqëroja delegacionet e tjera në një aktivitet turistik. Për fat, e njoftova edhe Ambasadën Jugosllave se atë ditë nuk iu bashkova delegacionit. Sipas dialektit, m’u duk se personi që foli ishte boshnjak dhe më tha se ishte në rregull.
Mirëpo, përkthyesja përpiloi raportin dhe aty kishte shkruar se gjoja arsyeja e mungesës sime ishte vizita në muzeun ku ndodhet shpata e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Pas një periudhe, në mbledhjen e Kryesisë që drejtohej nga slloveni Çedo Mokole, ai më tha pas mbledhjes: “Shoku Shala, a ke kohë të kthehesh në zyrë?” Trenin për Fushë Kosovë e kisha rreth orës 22:00, prandaj pranova.
Më tha se kishte një raport nga vizita ime në Austri dhe më kërkoi ta lexoja dhe t’i thosha të vërtetën. Pasi e lexova, u mahnita nga kjo insinuatë dhe iu drejtova: “Shoku Çedo, kam munguar atë ditë dhe e kam njoftuar Ambasadën. Është e vërtetë se çdo shqiptar e ka ëndërr ta shohë atë shpatë dhe, kur ta kem rastin, me siguri do ta vizitoj, por kësaj here nuk kam qenë.”
Kur i tregova se e kisha njoftuar Ambasadën, ai e shqeu raportin para meje dhe e hodhi në shportë. Pas përfundimit të mandatit, z. Mokole u zgjodh kryetar i Lubjanës dhe kemi mbetur në komunikim të përhershëm.
Në nivel të hekurudhave të ish-Jugosllavisë, isha anëtar i Komisionit për amendamentet kushtetuese 1972–1974. Në hekurudhat jugosllave dhe kosovare, gjatë shërbimit, në përdorim ishin gjuhët serbokroate, sllovene dhe maqedonase. Në një takim të të gjitha strukturave politike, vetëqeverisëse dhe udhëheqëse, ishte temë përdorimi i gjuhëve dhe shkrimeve në hekurudha.
E mora fjalën dhe, në formë humori, shtrova pyetjen: “A qarkullojnë trenat kur u flitet anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe në gjuhë të tjera? A mendoni se trenat do të qarkullojnë edhe kur u flasim shqip?”
Shpërtheu një e qeshur, por në fund neni 2 i Statutit të Hekurudhave Jugosllave pësoi ndryshim dhe u përfshi edhe gjuha shqipe. Në hekurudhat kosovare, struktura e të punësuarve, si në nivel administrativ ashtu edhe në atë udhëheqës, ishte në favor të serbëve dhe malazezëve. Ekzistonte Njësia e Mbrojtjes Territoriale me komandant serb. Ai komandant ishte njëherësh edhe drejtor i organizatës punuese të komunikacionit. Kur shpërthyen demonstratat e vitit 1968, ai ishte komandant i kësaj njësie territoriale.
Pas ndryshimeve të mëdha, pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1974, më dërguan në specializim ushtarak në Sarajevë dhe më vendosën në krye të kësaj njësie territoriale.
Ushtarët serbë në këtë njësi ishin shumicë, edhe pse ende kishin mbetur disa që duhej të zëvendësoheshin për shkak të moshës. Gjatë demonstratave të vitit 1968, ata kishin qenë të armatosur dhe kishin bërë kërdi, duke shantazhuar dhe maltretuar civilët shqiptarë.
Në festën e Bozhiqit të atij viti, komandanti i kësaj njësie, me emrin Bozhidar Bullatoviq, së bashku me grupin e tij, në restorantin e hotelit “Bozhur” në hyrje, kishin vendosur disa persona dhe të gjithë ata që ishin të besimit islam, për të hyrë brenda, duhej të kryqëzoheshin, përndryshe nuk u lejohej hyrja. Ashtu edhe ndodhi: ata mbetën jashtë. Për ta rritur kulmin e shovinizmit, kamarierit që shërbente dhe ishte shqiptar, i kërkuan “kokë shqiptari” për meze. Ishin: Bullatoviq, Majstoroviq, Bullajiq, Balleviq, Steviq etj. (i kam përmendur në monografinë prej 106 faqesh).
Sikur ky njeri të ishte në vitin 1981, me siguri se nuk do t’i pengonte, madje do t’i urdhëronte që të shtinin mbi studentët në mënyrë të pamëshirshme, nën arsyetimin se ishin sulmuar, siç dinë të thurin gënjeshtra, gjë që do të shndërrohej në një masakër të vërtetë.
Në vitin 1981 isha komandant i kësaj njësie territoriale dhe ushtarët e komunitetit serb filluan të kërkonin armatim për t’u mbrojtur, gjoja nga “irredentistët dhe terroristët shqiptarë”. I gjithë armatimi ishte nën kontrollin tim, ndërsa ata që ishin në roje e kishin armatimin të paçelur nga konservimi, pothuajse të papërdorshëm, si një shkop bejsbolli. Arsyeja ishte se ata të gjithë kishin armatim personal dhe do ta përdornin sërish “për vetëmbrojtje”.
Sipas rregullave ushtarake kjo nuk lejohej, por unë e njihja situatën dhe mora përgjegjësinë mbi vete, duke mos e ndryshuar vendimin. Filluan reagimet nga ushtarët serbë dhe disa prej tyre nisën të mos i zbatonin urdhrat.
E thirra Shtabin Qendror të Mbrojtjes Territoriale në Prishtinë. Erdhi komandanti Ahmet Luci – kolonel dhe Sylejman Berisha – major. Filluan t’u shpjegonin ushtarëve të tubuar në sallë, por ata as që i përfillën.
Të dy ushtarakët dolën jashtë dhe, pasi ishte mbrëmje dhe ora policore ishte në fuqi, u larguan duke më thënë: “Zoti ta bëftë qarën”, dhe shkuan.
U ktheva brenda në sallë. Isha i armatosur deri në dhëmbë. Kisha kallashnikovin dhe revolen me municion rezervë. E përdora këtë të fundit duke iu drejtuar: kush nuk i zbaton urdhrat në “kohë lufte”, atëherë vendos gjyqi ushtarak.
Zëvendësi im serb filloi të dridhej dhe më pyeti nëse mund të bisedonte me ta. I thashë: “I ke pesë minuta.” U kthye, por nga të gjithë sa ishin në sallë, mbetën vetëm shtatë që nuk e ndryshuan mendimin. I urdhërova t’i hiqnin uniformat dhe i dërgova në sallën e pritjes të stacionit hekurudhor deri në orën 6 të mëngjesit, kur mbaronte ora policore, për të shkuar në shtëpitë e tyre, pasi ora policore ishte vendosur nga Kryesia e ish-Jugosllavisë.
Për dijeninë tuaj, njësia ime territoriale në kohë paqeje kishte zënë vendin e parë në kuadër të Njësisë Territoriale të Komunës së Prishtinës.
Pas përfundimit të Fakultetit të Komunikacionit dhe Transportit Hekurudhor, e nisa iniciativën për përgatitjen e kuadrove shqiptare të këtij profili në gjuhën shqipe. Lëndën kryesore të komunikacionit hekurudhor e ligjëroja unë, ndërsa kolegë të tjerë ligjëronin lëndë si mirëmbajtja, profesioni i lokomotivistit, mirëmbajtja e hekurudhave dhe elektroteknika. I përgatitëm dy gjenerata: 1979/80 dhe 1980/81. Pas shpërthimit të demonstratave në vitin 1981, m’u desh t’i ndërprisja ligjëratat, sepse isha i mobilizuar nën uniformë dhe ishte e pamundur të vazhdohej.
Në mesin e atyre studentëve e kisha edhe heroin Fahri Fazliu, i cili, siç më ka informuar një ish-student nga Suedia (sepse unë isha në Amerikë), më gjeti përmes Facebook-ut pas 40 vitesh. Ai më tregoi se Fahri Fazliu kishte punuar si përcjellës trenash (me kapuç të kuq) në stacionin hekurudhor të Artanës (Obiliqit), ndërsa ky studenti që më kontaktoi kishte shërbyer në stacionin hekurudhor të Leposaviqit, e të tjerët nëpër stacione të ndryshme anembanë Dardanisë.
Sa më kujtohet, Fahri Fazliu ka qenë nxënës i qetë, i sjellshëm dhe shumë i kujdesshëm. Siç më informuan kolegët e tij, ai është ballafaquar me policinë serbe në bodrumet e ndërtesave të Bregut të Diellit, ku ra në mënyrë heroike, duke iu kundërvënë pa menduar të dorëzohej i gjallë. Krenari për familjen, për të gjithë shqiptarët dhe posaçërisht për mua si profesor i tij. Hero i popullit, i cili dha shembullin sikur të gjithë ata që u flijuan për liri. Lavdi e përjetshme heroit Fahri Fazliu. Falënderim familjes që e rriti një bir të tillë, i cili i doli zot atdheut.
Gjatë shërbimit në OHT në Fushë Kosovë, nga udhëheqja krahinore më ftuan në bisedë për ta marrë detyrën e drejtorit të Kosovatransit (me rreth 350 punëtorë), të komunikacionit ndërurban dhe ndërkombëtar, sepse, siç e kishin vlerësuar ata, ishin çrregulluar marrëdhëniet në kolektiv dhe, si një sindikalist i rryer, mund të sillja ndryshim pozitiv gjatë një mandati katërvjeçar. E përfundova mandatin dhe më pas më dërguan në KNI (Kombinatin Ndërtimor Industrial) “Ramiz Sadiku”, me mbi 7000 punëtorë.
Në atë kohë, në këtë organizatë madhore, me kërkesë të Serbisë u vendosën masa të përkohshme me qëllim falimentimin, domethënë u suspendua vetëqeverisja, gjoja për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
Lidhur me këtë u mbajt një seancë gjyqësore dhe unë shkova për të marrë pjesë në të, e cila drejtohej nga një gjyqtar serb nga Mitrovica. Ishte absurde që të falimentonte një organizatë aq e fuqishme dhe e suksesshme në ndërtimtari si kjo.
Gjykatësit ia shtrova pyetjen publike: si mund të falimentojë një organizatë punuese kur vlera e mjeteve themelore të punës është më e madhe se humbjet? Nuk pati përgjigje dhe seanca u shty për një muaj. Por ishte vendim politik i Serbisë, sepse në këtë organizatë, nga 7000 punëtorë, 85% ishin shqiptarë. Pra, “qëllimi e arsyetonte mjetin”.
Në vitin 1989 u suspendua autonomia e vitit 1974, një status politik më i avancuar se ndonjëherë më parë. Nga Serbia erdhi shkresa se kush donte të qëndronte në punë duhej të nënshkruante formularin me të cilin njihej Republika e Serbisë si shtet i vet. Me ta marrë këtë formular, e refuzova dhe ia dorëzova udhëheqësit të dhunshëm të masave të përkohshme, të quajtur Millutin Popara, i cili e fliste shqipen rrjedhshëm; po të mos e dije se ishte serb, kurrë nuk do ta dalloje.
Më pas, të gjithë punëtorët shqiptarë refuzuan ta pranonin Serbinë si shtetin e tyre. Në fillim nuk u tregova se nuk e kisha nënshkruar formularin, por ata e zbuluan vetë dhe në mënyrë masovike refuzuan ta nënshkruanin, përveç atyre të nacionalitetit turk, ashkali, goran etj.
Pas largimit masiv nga puna filluan reagimet e ndryshme të punëtorëve për gjendjen e rëndë dhe të padurueshme ekonomike.
U imponua si imperativ themelimi i Sindikatës së Punëtorëve të KNK “Ramiz Sadiku”, duke e hapur atë për aktivitete dhe kontakte nga të interesuarit për ndihma të ndryshme – ushqimore, veshmbathje e të tjera. Pas një emisioni të Televizionit të Kosovës, i cili bëri bujë të madhe, filluan vizita të ndryshme nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për gjendjen e rëndë ekonomike të punëtorëve dhe familjeve të tyre.
U shtrua si domosdoshmëri urgjente themelimi i Sindikatës së “Ramiz Sadikut” në mbrojtje të punëtorëve, gjë që ndodhi. Menjëherë morëm zyrat, ku pritëm delegacione dhe ndihma që vërshuan nga popullata e Dardanisë, nga shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarë dhe posaçërisht nga diaspora. Një organizatë ndërtimore, e cila në ditën e seancës për falimentim mori nga Parisi mirënjohje ndërkombëtare për sukseset në ndërtimin e objekteve të banimit, rrugëve, tuneleve dhe viadukteve.
Me mjetet e grumbulluara, posaçërisht ato financiare që i deponuam në “Bankos”, planifikonim të themelonim një organizatë për inkuadrimin e të papunëve.
Ekzistonte rreziku që këto mjete të merreshin me dhunë, siç kishte ndodhur më herët me RTK-në, kur shërbimi sekret kishte konfiskuar rreth 10 milionë dinarë. Me drejtorin e “Bankos”-it, me mbiemrin Zeka, biseduam se si t’i shmangeshim këtij rreziku. Ndërkohë, unë kontaktova me një bankë në Lubjanë dhe i njoftova se mund të përballeshim me një kërcënim të tillë, prandaj propozuam që mjetet t’i transferonim në mënyrë telegrafike në xhirollogarinë e tyre. Sipas marrëveshjes, kishte një kamatë të caktuar, ndërsa për autoritetet serbe ishte interes 17%.
Në bisedë me drejtorin e “Bankos”-it, ai e ftoi edhe likuidatoren që të ishte e pranishme dhe i tha: në momentin që të kërkohet gjendja e “Ramiz Sadikut”, ta zbrazë xhirollogarinë dhe ta transferojë menjëherë në bankën e Lubjanës.
Nuk kaloi shumë dhe vërtet kjo ndodhi: erdhën në zyrë dhe kërkuan gjendjen e xhirollogarisë së punëtorëve të “Ramiz Sadikut”.
Unë ndodhesha në zyrën time, në cilësinë e drejtorit të organizatës së sapothemeluar “Kosovëgraniti”, kur më telefonoi drejtori Zeka dhe më tha: “Prit, se po vijnë te ti.”
Erdhën, më përshëndetën dhe menjëherë më pyetën: “A e do më shumë Kosovën apo Slloveninë?”
Iu përgjigja: “Një degë të një lisi të Kosovës nuk e jap për Slloveninë.”
Pastaj m’u vërsulën: “Si i tërheq mjetet nga Bankosi dhe i dërgon në bankë të Sllovenisë?”
Nxora kontratën dhe ua tregova interesin 17%. U shtangën dhe mbetën pa fjalë. U thashë: “Këta punëtorë janë pa punë. Duhet t’u gjejmë zgjidhje.” U larguan.
Nga përvoja me Televizionin mësova dhe i shpëtuam më të keqes, duke i mbrojtur mjetet e atyre të papunëve.
Pas suprimimit të autonomisë nga regjimi i Slobodan Milošević, gjendja sociale u rëndua shumë dhe duheshin ndërmarrë masa sociale dhe veprime sindikale.
Regjimi i Millosheviqit ushtronte apartheid ndaj popullatës shqiptare, duke larguar nga puna mbi 200.000 punëtorë në tërë krahinën. U larguan studentë, nxënës, arsimtarë, profesorë dhe i tërë stafi administrativ.
Filloi helmimi masiv i nxënësve, përmes një helmi që thuhej se ishte siguruar nga Iraku i Sadam Huseinit, me dozë të ngjashme si ajo që ishte përdorur ndaj kurdëve.
U themeluan Sindikatat e Punëtorëve të “Ramiz Sadikut”. Filluan demonstratat, grevat dhe masat e tjera sindikale, të cilat në thelb kishin përmbajtje politike, por zhvilloheshin nën ombrellën sindikale.
Organizuam grevën e përgjithshme 24-orëshe më 3 shtator, para Kuvendit, dhe më 7 shtator u aprovua Kushtetuta e Kaçanikut. Askush nuk lëvizte, as mjetet transportuese që qarkullonin nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Thuajse as zogjtë nuk lëviznin normalisht, siç e përshkruante një vozitës nga Novi Pazari, i cili deklaronte se një qetësi e tillë ishte e paimagjinueshme dhe mendonte se diçka e madhe kishte ndodhur.
Merreni me mend: as fëmijët nuk dilnin të luanin para shtëpive, sepse në proklamatën tonë kishim kërkuar që të mos kishte lëvizje. Dhe kjo u respektua në maksimum.
Isha njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit e kësaj greve, me ekipet që përcillnin zbatimin.
Më vonë organizuam grevën e urisë 24-orëshe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Me vendim të punëtorëve të tubuar, si ish-drejtori i tyre, më propozuan që unë ta udhëhiqja.
Bënte ftohtë. I thashë njërit nga grupi udhëheqës se duhej të shkoja në shtëpi për të marrë një pallto më të trashë, sepse kisha ftohtë. Banoja përballë Pallatit të Shtypit, jo më larg se 100 metra nga salla. Ai u befasua dhe më pyeti: “A po frikësohesh?” E binda të vinte me mua.
Kur rashë zilen, dolën fëmijët dhe më pyetën: “A je i uritur? Kur do të vish?” I thashë bashkëshortes të ma sillte pallton, ndërsa fëmijëve u thashë të flinin se do të kthehesha më vonë.
Kur u kthyem, më pyeti sërish: “Vërtet u frikësove?”
I thashë: “Jo. Por sikur të kisha ardhur vetëm, a do të më besoje se nuk kam ngrënë? Kjo ishte arsyeja.”
Ai u mahnit. Ishte më i ri se unë dhe i thashë se në raste të tilla duhet pasur kujdes për çdo detaj.
Një ditë, nga zyra ime pashë se punëtorët, pas mëngjesit, po tuboheshin jashtë dhe nuk po shkonin në punë. I thashë sekretares sime, e cila ishte serbe, të ma thërriste një nga shoferët që e njihja si njeri të sinqertë.
Hyri brenda. E pyeta: “Pse nuk po shkoni në vendet e punës?”
M’u drejtua: “Drejtor, nuk durohet më kështu. Duam të dalim në demonstratë në Pallatin e Rinisë.”
E pyeta sa veta ishin. “Rreth 40”, tha me kujdes.
Iu përgjigja: “Pa u mbushur ky vend me punëtorë, nuk ka lëvizje nga këtu.”
Ai u afrua dhe më përqafoi. I thashë: “Unë do të jem në krye të kësaj demonstrate.”
Ashtu ndodhi. Kishin organizuar edhe kujdestarët e kolonës me shirita të kuq për identifikim. Gjatë marshimit drejt Pallatit, më tregonin se po përpiqeshin të futeshin spiunë në kolonë, ndërsa policia na përcillte. U thashë: “Vetëm përcillni, mos reagoni, sepse duan t’ju provokojnë.”
Arritëm në Pallat dhe gjithçka shkoi në rregull.
Situata përkeqësohej vazhdimisht, prandaj duhej organizim në nivel krahinor sindikal.
E themeluam Këshillin Organizativ për themelimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në të cilin isha edhe unë. Në krye të këtij këshilli u emërua prof. dr. Hajrullah Gorani (tashmë i ndjerë). Si individ me përvojë sindikale, m’u dha detyra të propozoja skemën organizative me degë dhe nëndegë nëpër komuna deri në nivelin qendror. Kjo ishte skema që u miratua në Kongresin e Parë të Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i mbajtur më 30 qershor dhe 1 korrik 1990 në Pallatin “Asim Vokshi” në Gjakovë.
Për organizimin e këtij tubimi vendosëm në një takim të Këshillit Iniciues në Prishtinë. Diskutuam për vendmbajtjen. Në aspektin shtetëror duhej të mbahej në Prishtinë; në aspektin historik në Prizren; ndërsa në aspektin punëtor në Mitrovicë. Para së gjithash, duhej të vendosej për emërtimin e tubimit, sepse sipas Kushtetutës Federative vetëm republikat kishin të drejtë të mbanin “Kongrese”, ndërsa Krahinat Autonome vetëm “Konferenca”.
Gjatë diskutimit, z. Masar Kumnova nga Gjakova propozoi që tubimi të quhej patjetër “Kongres”, sepse kjo nënkuptonte se po shkonim drejt pavarësisë. Të gjithë e mbështetën këtë propozim, pavarësisht rreziqeve dhe përcjelljes së vazhdueshme nga organet e sigurimit. Ai u shpall “kumbar” i Kongresit.
Nuk ishte e lehtë të organizohej një tubim i tillë në rrethana represive. Fillimisht provuam ta mbanim në sallën e Kuvendit për shkak të përkthimit, por kërkesa jonë u refuzua menjëherë. Si përgjegjës për përgatitjen, shkova në Gjakovë për të biseduar me strukturat komunale, të cilat e pranuan me dëshirë organizimin dhe përfunduan përgatitjet brenda dy ditësh e një nate.
Delegatët u pritën në shtëpitë e qytetarëve. Madje, disa familje që nuk arritën të strehojnë mysafirë mbetën të pakënaqura. Data e Kongresit ishte e koordinuar me mbajtjen e seancës së Kuvendit për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990, si pjesë e një lidhjeje të qartë veprimesh.
Përveç delegatëve, morën pjesë ish-të burgosur politikë, intelektualë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe mysafirë nga jashtë vendit. Salla ishte e mbushur me mbi 1000 pjesëmarrës. Rreth 250 policë të armatosur e kishin rrethuar objektin, duke përhapur lajme se gjoja do të shpallej Republika e Kosovës.
U zgjodh Kryesia e Punës me në krye Prof. Dr. Hajrullah Gorani, kandidat për president. Gjatë punimeve, më caktuan të lexoja telegramet e urimeve që vinin nga vendi dhe diaspora — disa madje uronin shpalljen e Republikës.
Në ditën e dytë, pas diskutimeve të shumta, u propozua z. Gorani për kryetar. E ftuar ishte edhe juristja amerikane për të drejtat e njeriut, Eva Brendly, e cila ishte e verbër dhe shoqërohej nga qeni udhërrëfyes dhe një përcjellëse.
Në kulmin e euforisë, shefi i policisë hyri në sallë për të arrestuar z. Gorani. Gjatë afrimit të tij, i propozova profesorit ta çarmatosja, pasi në çantë mbaja një revole — një hap i rrezikshëm që mund të provokonte gjakderdhje. Ai më shikoi me mosbesim.
Eva Brendly, kur mori vesh për arrestimin, shpërtheu në lot. Megjithatë, Kongresi vazhdoi punimet dhe me aklamacion unanim zgjodhi Hajrullah Goranin President. Shkova në zyrën e shefit të policisë për t’i komunikuar lajmin dhe për ta uruar. Ai pyeti nëse ishte shpallur Republika. I thashë se sindikatat nuk shpallin republikë — këtë e bëjnë deputetët e Kuvendit. Pas kësaj, e liruan.
Të nesërmen, më 2 korrik, në Prishtinë u mbajt seanca e Kuvendit për miratimin e Deklaratës Kushtetuese, jashtë objektit të Kuvendit. Eva Brendly u pyet nëse vendimi ishte legjitim jashtë salle. Ajo këshilloi që të ndiqej procedura formale: konstatimi i kuorumit, miratimi i rendit të ditës — dhe vendimi do të ishte ligjërisht i vlefshëm.
Pas miratimit të Deklaratës, policia u vërsul ndaj qytetarëve, duke i rrahur dhe maltretuar. Presidenti Gorani u arrestua dhe u dërgua në burgun e Smrekovnicës.
Ndërkohë, në Lausanne, në “Pallatin e Princave”, ishte organizuar një tubim madhështor i mërgatës. Meqë kryetari ishte në burg, mora pjesë në emër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Tubimi ishte i elektrizuar; pjesëmarrësit hidhnin xhaketat në ajër duke brohoritur emrin e Sindikatave dhe të Presidentit Gorani, veçanërisht sepse ai ndodhej në burg. Veprimtaria ime u bë halë në sy të regjimit, i cili më përcillte në çdo hap. Në ndërkohë mora informatën se emri im ndodhej në listën e oficerëve rezervë për t’u arrestuar dhe burgosur. Një mik i imi, që ende punonte në atë shërbim, më telefonoi një mbrëmje dhe më kërkoi të takoheshim urgjentisht te shitorja e këpucëve “Pllaninka”, përballë Bankosit. Aty më tregoi se isha në regjistrin për arrestim dhe më këshilloi të largohesha sa më shpejt.
Në atë kohë isha drejtor i organizatës së sapothemeluar “Kosovëgraniti”, të cilën e regjistruam me shumë vështirësi, duke përfshirë 14 veprimtari të ndryshme vetëm për të krijuar mundësi punësimi për punëtorët shqiptarë të larguar dhunshëm nga puna.
Largimi nga atdheu
Më 17 shkurt 1991 u detyrova ta lë vendlindjen time, Dardaninë. Si oficer rezervë, rreziku ishte i menjëhershëm. Fushë Kosovë në atë kohë mund të krahasohej me Mitrovicë e Veriut e viteve më të vështira, ku nacional-shovinizmi ishte në kulm dhe strukturat vepronin në lidhje të drejtpërdrejtë me Beograd për masa represive kundër shqiptarëve.
U detyrova të lë bashkëshorten dhe tre fëmijët e mi, me shpresën se situata do të ndryshonte shpejt. Ishte një shpresë më shumë e ushqyer nga imagjinata sesa nga realiteti. Momentin e largimit nuk mund ta përshkruaj me fjalë — ishte ndër më të rëndët e jetës sime.
Migrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe menjëherë iu bashkova Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, duke qenë pjesë e Bordit Ekzekutiv deri në ditët e sotme.
Për veprimtarinë time në SHBA nuk do të zgjatem në këtë mini-monografi, pasi si publicist dhe autor i pesë librave të botuar më parë në gazetën kombëtare Bota Sot, kam trajtuar gjerësisht shumë nga këto çështje. Këto libra, me mbi 2500 faqe në total, janë lexuar nga një pjesë e madhe e opinionit në Dardani.
Monografinë time të plotë nuk e kam botuar së bashku me artikujt e tjerë. Versioni origjinal përmban 106 faqe me shumë detaje interesante. Kjo që po paraqitet tani është një version i shkurtuar, rreth një e teta e saj, me qëllim që lexuesi të marrë një pasqyrë të përmbledhur të veprimtarisë sime, pa përfshirë angazhimin në mërgim, për të cilin opinioni i gjerë tashmë ka njohuri.
U kërkoj falje lexuesve, sepse në praktikë shkrimet e gjata shpesh nuk lexohen plotësisht. Megjithatë, shpresoj që ky përmbledhje të shërbejë si dëshmi e një periudhe të vështirë, por të lavdishme të përpjekjeve tona.
Hafiz Shala
New York
24 shkurt 2026