Dardanet U17 nesër udhëtojnë në Portugali

- Bota Sot

Dardanet U17 nesër udhëtojnë në Portugali

Kombëtarja e Kosovës U17 për vajza nesër udhëton drejt Portugalisë, ku do të zhvillojë tri ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian, në kuadër të Grupit 6 të Ligës A. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Spanja, Portugalia dhe Hungaria.

Para nisjes, Dardanet U17 kanë zhvilluar një grumbullim dyditor në Kampin Nacional në Hajvali, ku ishin të përfshira 14 lojtare vendore. Gjashtë lojtare të tjera, të cilat aktivizohen në ligat evropiane, do t’i bashkohen ekipit në Portugali.

Përzgjedhësja Sanije Krasniqi theksoi se ekipi ka punuar me intensitet maksimal dhe është i gatshëm për sfidat që e presin në këtë nivel garash.

“Kemi zhvilluar dy seanca stërvitore dhe aktualisht në dispozicion kemi 14 lojtare, ndërsa 6 të tjera do të na bashkohen pas mbërritjes në Portugali. Jemi të përgatitur mirë dhe kemi kaluar edhe një kamp paraprak, i cili na ka shërbyer shumë në këtë fazë.

Besoj se këto vajza që janë aktualisht me ne, si dhe ato që do të bashkohen Perëndimi, e meritojnë plotësisht të jenë pjesë e Kombëtares U17. Janë në formë shumë të mirë dhe na pret një konkurrencë e fortë, pasi përballë kemi Spanjën, Portugalinë dhe Hungarinë.

Para ndeshjes së parë do ta kemi vetëm një seancë stërvitore në Portugali, që paraqet një sfidë shtesë, por shumica e lojtareve kanë qenë me ne edhe vitin e kaluar.

Disa prej atyre që po na bashkohen kanë qenë pjesë e grupmoshave U15 dhe U16, prandaj besoj se do të përshtaten lehtë me filozofinë tonë të përbashkët të punës, e cila është në harmoni me trajnerët e kategorive të reja”, ka thënë Krasniqi.

Optimiste për paraqitje të mira para këtyre përballjeve është shprehur edhe futbollistja Fatime Beha, e cila ka theksuar rëndësinë e ndeshjeve të këtij niveli për zhvillimin e ekipit.

“Kemi një ekip shumë të mirë, ndonëse konkurrenca në grup është shumë e fortë.

Të bashkuara dhe me angazhim maksimal besoj se mund t’ia dalim mbanë. Po përgatitemi veçanërisht në aspektin defanziv, pasi do të përballemi me ekipe shumë cilësore.

Ndeshje të tilla të forta na shërbejnë shumë, sepse na përgatisin për nivele të tilla të larta”, është shprehur Beha.

Ndeshjen e parë Kosova do ta zhvillojë më 1 mars kundër Spanjës, në orën 13:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot