Policia italiane, në bashkëpunim edhe me autoritetet në Spanjë, ka arrestuar në Barcelonë djalin e ish-bankierit 54-vjeçar ukrainas, i cili u gjet i pajetë pasi ra nga një ndërtesë në Milano më 23 janar.
Mediat italiane bëjnë të ditur se 34-vjeçari Igor Adarich dyshohet për rrëmbimin e babait të tij, Alexandru Adarici.
Hetuesit dyshojnë se i biri e kishte bindur të atin të udhëtonte drejt Milanos me pretekstin e një takimi biznesi në një objekt në zonën Via Nerino, ku më pas dyshohet se është organizuar rrëmbimi. Hetuesit pretendojnë se ai ndihmoi në rrëmbimin e të atit për ta detyruar atë të transferonte 250,000 euro në kriptovaluta.
Sipas dosjes hetimore, 34-vjeçari akuzohet gjithashtu se ka shkaktuar rënien e të atit nga dritarja e apartamentit, pasi ai ishte i vetmi person në dhomë në atë kohë.
Autoritetet italiane kanë hedhur poshtë versionin e dhënë më parë nga i dyshuari para policisë së Barcelonës, sipas të cilit ata ishin sulmuar nga një grup personash të armatosur.
Sipas deklarimeve të të dyshuarit, ai dhe babai i tij kishin udhëtuar në Itali për një takim me një person të quajtur “Kirill”, por hetuesit nuk kanë gjetur prova për ekzistencën e një takimi të tillë.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.