Goditje për Barcelonën

- Bota Sot

Goditje për Barcelonën

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, nuk do të jetë i gatshëm për përballjen vendimtare ndaj Atlético Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi katalanas, që ka bërë të ditur se lojtari ka pësuar një frakturë në fytyrë, pranë syrit të majtë.

Sipas komunikatës zyrtare, Lewandowski mori një goditje gjatë ndeshjes së fundit kundër Villarrealit. Ekzaminimet mjekësore të kryera më pas zbuluan një frakturë kockore në pjesën e brendshme të orbitës së syrit të majtë, çka e detyron të mungojë në ndeshjen e së martës ndaj Atleticos.

Barcelona, e drejtuar nga trajneri Hansi Flick, përballet me një mision shumë të vështirë, pasi duhet të përmbysë humbjen 4-0 të pësuar në “Metropolitano”. Mungesa e sulmuesit polak është një goditje e rëndë, duke qenë se ai është një nga golashënuesit kryesorë të skuadrës dhe sapo kishte realizuar në sfidën ndaj Villarrealit.

Klubi nuk ka dhënë një afat të saktë rikuperimi, duke theksuar se gjithçka do të varet nga evolucioni i dëmtimit. Nuk përjashtohet mundësia që Lewandowski të rikthehet për ndeshjen e kampionatit ndaj Athletic Bilbao-s, por objektivi kryesor mbetet që ai të jetë i gatshëm për çerekfinalen e parë të UEFA Champions League kundër Newcastle United, e cila do të luhet në “St. James’ Park”.

Në çdo rast, mungesa e tij në Kupë përbën një problem serioz për Barcelonën, që ka nevojë për gola dhe përvojë në një përballje kaq vendimtare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot