Kuvendi i Federatës së Pingpongut të Kosovës ndërpritet pa vendimmarrje, përplasje

- Bota Sot

Kuvendi i Federatës së Pingpongut të Kosovës ndërpritet pa vendimmarrje, përplasje

Mbledhja e Kuvendit të rregullt të Punës të Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK) nuk përfundoi me vendimmarrje, pas kundërshtimeve të një pjese të delegatëve lidhur me rendin e ditës dhe materialet përcjellëse.

Gjatë një viti qeverisje, drejtuesit e Federatës kanë tentuar të ndalojnë praktika të vendosjes së interesave personale mbi ato të zhvillimit të sportit, si dhe kanë iniciuar hartimin/plotësimin e akteve juridike, hartimin e Strategjisë Zhvillimore 5 vjeçare të avancimit të Pingpongut për të siguruar një reformë dhe ngritje të përgjegjësisë në të gjitha nivelet e Federatës dhe anëtarëve të tyre.

Kjo situatë u shfrytëzua nga ish-kryetari Nehat Çitaku, i cili mobilizoi një grup të caktuar që vazhdimisht, sipas vlerësimeve të brendshme, vazhdojnë të vendosin interesat personale mbi zhvillimin e sportit.

Ajo që bie në sy është se kundërshtimet nuk kanë pasur të bëjnë me sistemin e garave, ngritjen e cilësisë e sportistëve, por kryesisht me vendimet reformuese dhe ndalimin e praktikave të vjetra.

Kur drejtimi i federatës u mor në janar 2024, institucioni kishte një borxh të trashëguar prej 77,995 eurosh.

Gjatë vitit 2025, federata organizoi dy ngjarje të mëdha ndërkombëtare – WTT Feeder Prishtina 2025 dhe WTT Youth Contender Prishtina 2025 – të cilat u vlerësuan pozitivisht nga federata botërore dhe evropiane si dhe autoritetet vendore.

Po gjatë vitit 2025 FPPK realizoi të hyra gjithsej në vlerë prej 523,427.69 euro dhe, sipas burimeve të Federatës, të gjitha detyrimet financiare të trashëguara u shlyen.

Situata aktuale tregon se federata ende përballet me një përplasje mes reformave dhe mentalitetit të vjetër drejtues.

Pa gatishmëri për ndryshim, vështirë se do të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe të zvogëlohet hendeku me vendet e rajonit dhe Evropës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot