Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se skuadra e tij duhet ta bëjë të pamundurën të mundur për të përmbysur humbjen 4-0 nga Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Copa del Rey..
Barcelona është mposhtur në ndeshjen e parë, ku Atletico ka shënuar katër gola në pjesën e parë. Megjithatë, Flick ka theksuar se skuadra nuk do të dorëzohet.
“Jemi katër gola prapa dhe duhet ta bëjmë të pamundurën të mundur. Ky është objektivi. Nuk është e lehtë. Megjithatë, nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Flick.
Ai ka shtuar se është shumë e rëndësishme të mos pranojnë gol dhe të besojnë në forcën e tyre.
“Është e rëndësishme ta mbajmë portën e paprekur, por duhet të besojmë në forcën tonë dhe se mund ta arrijmë këtë… Duhet gjithmonë të besosh. Për shembull, në secilën pjesë na duhen nga dy gola”, është shprehur trajneri gjerman.
Barcelona prin në LaLiga për nga numri i golave të shënuar këtë sezon, por në këtë ndeshje do të mungojë sulmuesi Robert Lewandowski.
“Duhet ta menaxhojmë mungesën e Lewyt. Nuk kemi pasur shumë fat. Humbja e një lojtari si ai dhe e të tjerëve që nuk mund të jenë prezent është problem, por skuadra po e përballon mirë”, ka deklaruar Flick.
Ai ka theksuar se Barcelona duhet të ushtrojë presion, të fitojë duelet dhe të mos humbasë topin, pasi Atletico është shumë e rrezikshme në kundërsulm.