Zejnullai dhe Ajeti humbin ndeshjen me Vardarin

- Bota Sot

Zejnullai dhe Ajeti humbin ndeshjen me Vardarin

Shkëndija e Tetovës lë pas fitoren ndaj Pelisterit dhe fokuson vëmendjen te sfida e radhës me Vardarin në Shkup, ku do të mungojnë Arbin Zejnullai dhe Numan Ajeti për shkak pezullimi pas akumulimit të pesë kartonave të verdhë.

“Shkëndija nuk ka kohë për pushim. Fitorja 2:1 ndaj Pelisterit arkivohet menjëherë, ndërsa skuadra tashmë përqendrohet te sfida e radhës kundër Vardarit. 

Ekipi sot zhvillon seancë rikuperimi, pasi vetëm dy ditë mbeten për përgatitje para takimit që do të luhet të enjten, më 5 mars, në kompleksin eFederatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup, me fillim nga ora 14:00.

Në këtë përballje direkte, kuqezinjtë synojnë të afrohen edhe më shumë me vendin e parë, duke qenë se tashmë kanë shkurtuar diferencën në katër pikë.

Megjithatë, në këtë duel të rëndësishëm do të mungojnë mesfushori, Arbin Zejnullai dhe mbrojtësi, Numan Ajeti.

Të dy futbollistët kishin nga katër kartona të verdhë dhe pas ndëshkimeve në takimin me Pelisterin, akumuluan kartonin e pestë, që sipas rregullores nënkupton pezullim automatik prej një ndeshjeje.

Trajneri Beqiri do të duhet të gjejë zgjidhje me futbollistët që ka në dispozicion, ndërsa skuadra mbetet pozitive dhe e motivuar për të kërkuar fitoren e pestë në po aq ndeshje në gjysmësezonin pranveror”, njofton FC Shkëndija.



Lexoni të gjitha në Bota Sot