Zëvendëskryetari i Olympiacosit, Kostas Karapapas, ka reaguar publikisht ndaj raportimeve që pretendonin se Mehdi Taremi është i gatshëm të shkojë në luftë, duke i cilësuar ato si lajme të pavërteta.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Karapapas theksoi se informacionet e publikuara nuk qëndrojnë dhe bëri thirrje për përgjegjësi dhe respekt në trajtimin e çështjeve të ndjeshme.
“Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta. Mos u besoni lajmeve të rreme.
Le të tregojmë respekt si për sportistët, ashtu edhe për të gjithë njerëzit, atdheu i të cilëve është përfshirë nga flakët.
Po flasim për një çështje që prek çdo vend të botës dhe ndikon në gjithë planetin”, u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se është e pamundur të kontrollohet çdo informacion që qarkullon në rrjet, duke nënvizuar vështirësinë në ndalimin e përhapjes së lajmeve të pakonfirmuara.
“Fatkeqësisht, nuk është e mundur të ndjekësh çdo gjë që shkruan secili person që ka dëshirë të publikojë diçka, apo të parandalosh përhapjen e tyre”, thuhet në reagim.