Partizani pret nesër Elbasanin në çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë.
Të kuqtë kanë avantazhin e fitores 0-1 në ndeshjen e parë në Elbasan.
Trajneri Oltijon Kërnaja doli sot në konferencë shtypi, ku theksoi:
Si është gjendja e skuadrës?
Gjendja paraqitet e mirë, çunat janë stërvitur mirë këto dy ditë.
Duke qenë që ndeshjet janë shumë afër me njëra-tjetrën të them të drejtën nuk është se kemi patur shumë kohë për t’u përgatitur. Jemi munduar të rikuperojmë energjitë e humbura në ndeshjen e fundit.
Do ta keni të gjithë grupin të gatshëm?
Besoj se do të jenë pothuajse të gjithë të gatshëm. Do të shikojmë edhe sot në seancën e fundit stërvitore mos ka ndonjë shqetësim. Deri tani nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim, besoj se do ti kemi të gjithë.
Ndeshja e nesërme?
Të them të drejtën, është një ndeshje shumë e vështirë.
Rezultati i ndeshjes së parë ndoshta na favorizon paksa, por është një ndeshje shumë e vështirë, duke parë edhe cilësinë e ekipit që kemi përballë.
Elbasani është një ekip që di të sulmojë shumë.
Duke parë edhe rezultatin e ndeshjes së parë është një ekip që do të luajë gjithçka për gjithçka dhe në këto momente bëhet shumë i rrezikshëm, sepse pjesën ofensive Elbasani e ka jashtëzakonisht shumë cilësore.
Ne nuk do të futemi për barazim, sepse po hymë për barazim rrezikojmë shumë. Duhet të shënojmë gol dhe të fitojmë ndeshjen.