Komuna e Tetovës ndan mirënjohje për Shkëndijën për suksesin në Evropë!

- Bota Sot

Komuna e Tetovës ndan mirënjohje për Shkëndijën për suksesin në Evropë!

Pasi të enjten mbyllëm aventurën evropiane, sot Shkëndija është vlerësuar nga Komuna e Tetovës për arritjet historike në Kupat e Evropës, duke i sjellë benefite të mëdha gjithë Ligës dhe klubeve tjera elitare në Maqedoninë e Veriut. 

Komuna e Tetovës me rastin e shënimit të Ditës së Komunës së Tetovës, 3 Marsi, ka nderuar sot KF Shkëndija me mirënjohje për përfaqësimin dinjitoz në garat ndërkombëtare dhe promovimin e qytetit dhe vendit në arenën evropiane.  

"Një vlerësim nga i cili lind natyrshëm një pyetje e thjeshtë:

Pse erdhi kjo mirënjohje dhe çfarë bëri Shkëndija për Tetovën dhe për Maqedoninë e Veriut këtë sezon?

Shkëndija u shpall kampione për herë të pestë në histori, duke siguruar pjesëmarrje në eliminatoret e UEFA Champions League. Në Evropë, kuqezinjtë eliminuan kampionin e Uellsit, The New Saints, ndërsa më pas realizuan një arritje historike duke mposhtur kampionin e Rumanisë, FCSB (ish-Steaua Bukuresht) ish-fitues të Kupës së Kampionëve Evropianë.

Kjo i garantoi klubit minimumin e pjesëmarrjes në UEFA Conference League, por Shkëndija nuk u ndal aty.

Përballjet me skuadra të nivelit të lartë si Qarabağ, Ludogoretsi Razgrad, Rayo Vallecano, Jagiellonia Białystok, Slovan Bratislava, AEK Larnaca dhe Shelbourne e vendosën emrin e Tetovës, Shkupit (ku kuqezinjtë i luajnë ndeshjet si vendas) dhe Maqedonisë së Veriut në hartën evropiane të futbollit.

Me 7 pikë të grumbulluara në fazën e ligës, Shkëndija arriti në “play-off” të Conference League, ku u përball me Samsunsporin e Turqisë. Ishte hera e parë që një klub nga Maqedonia e Veriut luante një ndeshje evropiane në pranverë, sukses ky më i madhi në historinë e klubit dhe arritja më e madhe e futbollit vendor në skenën ndërkombëtare në nivel klubesh.

Këto rezultate nuk ishin vetëm emocione sportive.

Ato sollën rritje të koeficientit të ligës vendore në ranglistën e UEFA-s, duke përmirësuar pozicionin e kampionatit nga fundi i renditjes evropiane dhe duke siguruar nga sezoni 2027 një vend shtesë në garat evropiane.

Pra, përfitimi nuk ishte vetëm i Shkëndijës, por i gjithë futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Përmes fondit solidar të UEFA-s, përfitime financiare të konsiderueshme do të ndahen edhe për klubet e tjera të elitës vendore. Reputacioni ndërkombëtar, promovimi në transmetime evropiane, prezenca në rrjetet zyrtare të UEFA-s me gola, pritje dhe aksione të përzgjedhura, të gjitha këto kanë promovuar jo vetëm klubin, por edhe qytetin dhe shtetin.

Kur flitet për përfaqësim, për imazh dhe përfitime konkrete, përgjigjja është e qartë.

Shkëndija investon, Shkëndija garon, Shkëndija fiton dhe fiton i gjithë futbolli në Maqedoni të Veriut.

Kështu, rezulton se mirënjohja e Komunës së Tetovës erdhi me meritë dhe është një akt vlerësimi për një rrugëtim që ka sjellë krenari dhe benefite të prekshme për të gjithë", njofton KF Shkendija..



Lexoni të gjitha në Bota Sot