Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027, duke shënuar fitore të thellë ndaj Gjibraltarit, me rezultat 6:0, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C, Dardanet dominuan plotësisht takimin dhe që nga fillimi ishte e qartë se fitorja nuk do të vihej në dyshim. Kaltrina Biqkaj e hapi serinë e golave që në minutën e 4-t, duke i dhënë qetësi dhe siguri ekipit në vazhdim. Epërsinë e dyfishoi Sara Sahiti në minutën e 26-të, që ishte goli i saj i parë në Kombëtaren A.
Në pjesën e dytë, Dardanet vazhduan me ritëm të lartë dhe kontroll të plotë të lojës. Modesta Uka realizoi për 3:0, në minutën e 63-të, ndërsa kapitenia Erëleta Memeti shënoi golin e katërt në minutën e 72-të. Në minutat e fundit shkëlqeu Gentiana Fetaj, e cila realizoi dy herë (76’, 87’) për ta vulosur fitoren bindëse 6:0.
Kosova bën pjesë në Grupin 2 të Ligës C, ku në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje Kroacia shënoi fitore minimale 1:0 në udhëtim ndaj Bullgarisë.
E pikërisht Kroacia do të jetë kundërshtarja e ardhshme e Dardaneve, ndeshje e cila zhvillohet të shtunën në Karlovac.
Sipas formatit të garës, fituesi i grupit siguron kualifikimin në ‘play-off’ dhe njëherësh avancon në Ligën B, ndërsa mundësia për ‘play-off’ ekziston edhe për ekipin e vendit të dytë.