Kupa e Kosovës: Sot luhen tri ndeshje çerekfinale, duele të nxehta

- Bota Sot

Kupa e Kosovës: Sot luhen tri ndeshje çerekfinale, duele të nxehta

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka zyrtarizuar orarin e çerekfinaleve të Kupës së Kosovës, të cilat zhvillohen këtë javë dhe premtojnë emocion, rivalitet dhe shumë luftë në fushë. Sot (e mërkurë) luhen tri ndeshje, ndërsa njëra sfidë zhvillohet nesër (e enjte).

Dueli i parë i ditës së mërkurë sjell përballjen Dukagjini-Feronikeli ‘74, i cili zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, nga ora 13:00. Kjo ndeshje pritet të jetë mjaft e luftuar, pasi të dy skuadrat e shohin Kupën si mundësi ideale për të kapur garat evropiane.

Në Suharekë, po ashtu nga ora 13:00, kampioni në fuqi Ballkani pret Gjilanin në stadiumin e qytetit me bari artificial. Ky është padyshim dueli më i fortë i kësaj faze, ku vendasit kërkojnë të vazhdojnë garën për trofe, ndërsa Gjilani synon të befasojë dhe të ecë drejt trofeut shumë të vlefshëm.

Në të njëjtën orë në Ferizaj zhvillohet edhe sfida tjetër e ditës së mërkurë, ku Ferizaj pret Vushtrrinë. Një ndeshje mes dy skuadrave ambicioze që synojnë të shfrytëzojnë Kupën për të lënë gjurmë këtë sezon, pasi çdo gabim në këtë fazë është fatal.

Çerekfinalja e fundit luhet nesër (e enjte), më 5 mars, ku Llapi pret Malishevën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ora 13:00.

Vlen të theksohet se në këtë fazë luhet vetëm një ndeshje dhe fituesi kalon automatikisht në gjysmëfinale. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot