Komisioni për Buxhet miraton ndarjen e 4 milionë eurove për RTK-në

- Bota Sot

Komisioni për Buxhet miraton ndarjen e 4 milionë eurove për RTK-në

Me 7 vota për, asnjë kundër e dy abstenime, Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës e ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në për periudhën janar-qershor 2026, në vlerë prej 4 milionë e 480 mijë euro.

Po ashtu, Komisioni ka udhëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Thesarit që ta bëjë transferimin e këtyre mjeteve në buxhetin e RTK-së.

Paraprakisht, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka theksuar se meqenëse raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar nga Bordi i RTK-së për këtë arsye nuk duhet të hidhet në votim.

“Siç e patë edhe deklarimin e menaxhmentit dhe bordit raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar në Bordin e RTK-së, kështu që unë propozoj që atë mos ta hedhim fare në votim. Për shkak se nuk është miratuar nga ana e bordit, mbetet që bordi i ri të vendosë se çfarë do të bëjë me raportin e vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket vendimit që ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për sesionin pranveror, këtë vendim duhet ta marrim, në mënyrë që RTK të mos mbetet pa buxhet dhe të mos përsëritet situata e njëjtë që kishim vitin e kaluar”, ka thënë Haliti.

Gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, ud. drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, bëri të ditur se përveç raportit gjashtëmujor për vitin e kaluar dhe projeksionit buxhetor për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, RTK-ja ka dorëzuar edhe një kërkesë të veçantë drejtuar Komisionit.

Sipas tij, përmes kësaj kërkese i është propozuar Komisionit që t’i rekomandojë qeverisë faljen e kredisë prej 2.5 milionë eurosh, e cila ishte marrë si zgjidhje emergjente për tejkalimin e krizës financiare.

Arsyet janë të shumta dhe rasti i ‘Milionerit’ është arsyeja kryesore, për shkak se nëse me datën 20 mars ekzekutohet ky urdhër përmbarimor, atëherë RTK-ja do të rrezikohet më shumë se çdo herë tjetër”, ka thënë Hundozi para komisionit.

Lidhur me këtë kërkesë, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, deklaroi se çështja do të shqyrtohet nga anëtarët e Komisionit dhe RTK do të njoftohet me kohë. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot