Van Dijk: Jemi të hidhëruar nga humbja

- Bota Sot

Van Dijk: Jemi të hidhëruar nga humbja

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk , nuk kërkon justifikime pas humbjes 2-1 në fushën e Wolves, në Premier Ligë.

Ndeshjen e vendosi një goditje e devijuar e Andre në minutat shtesë, pas avantazhit të Rodrigo Gomes në minutën e 78-të dhe barazimit të përkohshëm nga Mohamed Sallahu. Në mikrofonat e “TNT Sports”, mbrojtësi holandez ishte i drejtpërdrejtë.

“Varet vetëm nga ne. Ishim të ngadaltë, të parashikueshëm dhe të pasaktë me posedimin, duke marrë vendime të gabuara. Nuk prodhuam raste të mëdha, por nëse luan kështu, ky është rezultati që rrezikon të marrësh. Dhe është zhgënjyes”.

Ai shtoi se ekipi kishte kontrolluar topin, por nuk arriti të ndikonte.

“Kishim shumicën e posedimit, por zgjedhnim gjithmonë opsionin e gabuar dhe nuk gjenim pasimin e fundit. Jemi të hidhëruar nga humbja”.

Van Dijk pranoi frustrimin për golat e pësuar.

“Të pësosh gola, gjithmonë dhemb.

Në mbrojtje ishim të fortë në ndeshjet e fundit, tani duhet të kthehemi shpejt. Sezoni është i komplikuar, kampionati i vështirë dhe luhet çdo tri-katër ditë.

Të gjithë duhet të jemi në nivel maksimal. Akoma kemi shumë punë përpara”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot