Është vetëm 9 vjec por pasioni dhe talenti i Fatjon Halilit për futbollin tejkalon moshën e tij. Disiplina dhe përkushtimi po ia hapin rrugën e suksesit te KF Kumanova 2010.
Te KF Kumanova, Fatjoni aktivizohet si sulmues në krahun e djathtë, një pozicion që kërkon shpejtësi, teknikë dhe guxim. Por ajo që e bën edhe më të veçantë këtë djalosh është pasioni i tij i madh për futbollin dhe dëshira për t’u rritur profesionalisht. Me numrin 7 mbi shpinë, Fatjoni nuk e fsheh synimin e tij të madh. Ai kërkon të ndjekë hapat e idhullit të tij, yllit botëror, Cristiano Ronaldo.
“E kam ëndërr të bëhem futbollist dhe dua t’i ngjaj Cristiano Ronaldos”, thotë ai.
Saktësisht si “CR7”, Fatjoni shquhet për depërtimet e tij të shpejta nga krahu dhe nuhatjen e hollë për golin.
Një meritë të madhe në zhvillimin e tij kanë trajnerët Erkan Jusuf dhe Oktaj Jusuf, të cilët punojnë me përkushtim për të modeluar talentin e tij. Nën udhëheqjen e tyre, Fatjoni po tregon një disiplinë të lartë, duke e parë çdo seancë stërvitore si një mundësi për t’u bërë më i mirë.
“Për Fatjonin, numri 7 nuk është thjesht një numër në fanellë, por një motivim për të punuar fort si idhulli i tij. Ai është një motor i vërtetë në anën e djathtë të sulmit”, thonë njerëzit që e ndjekin çdo ditë në fushë.
Një nga shtyllat më të forta të Fatjonit është edhe mbështetja që merr nga familja, e cila e ndjek në çdo hap të rrugës.
KF Kumanova po tregon edhe një herë se është një vatër e rëndësishme për zbulimin e talenteve të reja.
Halili në fushën e blertë sillet si një profesionist i vogël me ëndrra të mëdha.
Ai është shembulli ideal që edhe në një moshë kaq të vogël, një ëndërr e madhe mund të jetë fare pranë nëse punohet me dashuri, vullnet dhe përkushtim të madh.