I njëjti film si në “Via del Mare” të Lecce-s. Alessandro Bastoni është vërshëllyer në çdo prekje topi edhe nga tifozët e Como-s gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Tifozët vendës kanë pasur gjithë kohës në shënjestër mbrojtësin e Interit.
Arsyeja lidhet gjithmonë me simulimin e Bastonit dhe festën e tij pas kartonit të kuq të marrë nga Pierre Kalulu gjatë ndeshjes me Juventusin. Ndjesa e lojtarit në konferencë shtypi nuk ka mjaftuar që tifozët ta falin dhe t’i kursejnë vërshëllimat në stadiume të ndryshme.
Në mbrojtje të Bastonit ndërkohë ka dalë trajneri i Como-s, Fabregas. “Bastoni? Duhet ta mbrojmë.
Pse ndodh? Sepse luan në skuadrën më të fortë të Italisë. Kur të gjithë ngrejnë zërin ndaj një personi, ndodh kështu.
Nuk e njoh, por kam parë shumë ndeshje të Interit këto vite dhe për mua ai është një lojtar top. Një djalë i mirë, ndërsa këto janë gjëra që i takojnë tifozërisë. A gaboi atë ditë?
Sigurisht që po, por ndodh. Edhe unë gabova kur bëra atë që bëra në ‘San Siro’. Kërkohet ndjesë, ata janë djem të rinj”, – ka thënë trajneri spanjoll.
Pas episodit në “San Siro”, mbrojtësi i Interit ka qenë shënjestër në të gjitha transfertat që ka luajtur në stadiumet italiane. Duket se është “dënuar” të vuajë pasojat e “mëkatit” të tij.