Skuadra anglez nuk heq dorë nga Edon Zhegrova

- Bota Sot

Skuadra anglez nuk heq dorë nga Edon Zhegrova

Futbollisti Edon Zhegrova mund të ndryshojë kampionat pas një sezoni në Itali.

Futbollisti është prej kohësh në shënjestrën e Evertonit, që kërkon të përfitojë nga situata jo e mirë që kalon sulmuesi anësor me Juventusin.

Anglezët duan të sigurojnë shërbimet e 26-vjeçarit në merkaton e verës dhe kanë gati ofertën zyrtare për klubin torinez, që shpenzoi rreth 20 milionë euro për ta marrë nga Lille.

Zhegrova nuk ka bindur me fanellën e Juventusit, pavarësisht disa shkëndijave që ka dhënë, kur është aktivizuar si zëvendësues nga trajneri Spalletti. Mbi të rëndon edhe ai gabim i rëndë në ndeshjen ndaj Gallatasarajit në Champions, ku shpërdoroi mundësinë e artë për kualifikim.

Deri tani sulmuesi ka luajtur vetëm një ndeshje nga minuta e parë te Juventusi dhe në total numëron 20 ndeshje me fanellën e tij.

Duhet theksuar se ka kontratë deri në vitin 2030 me Juventusin dhe Everton duhet të derdhë një shumë të konsiderueshme në arkat e klubit italian për ta transferuar Zhegrovën në Premier League.
 



Lexoni të gjitha në Bota Sot