Muaji mars këtë vit po shënohet me një iniciativë të veçantë që përçon 31 mesazhe përgjatë 31 ditëve, nga figura të njohura publike, me një qëllim të përbashkët: drejtësi, barazi dhe fuqizim për çdo grua dhe vajzë.
Kësaj fushate i është bashkuar edhe futbollisti i njohur kosovar, Milot Rashica, i cili përmes mesazhit të tij ka shprehur mbështetje për avancimin e të drejtave të grave dhe luftimin e çdo forme të dhunës me bazë gjinore.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit të UN Women, me titull “Adresimi i ndikimit të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve për të tejkaluar stigmën dhe për të folur hapur”.
Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin shoqëror, të fuqizojë të mbijetuarit e dhunës dhe të krijojë një ambient më mbështetës për gratë dhe vajzat në Kosovë.
Kjo nismë mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë, e cila vazhdimisht ka përkrahur projekte që promovojnë barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.
Pjesëmarrja e Rashicës në këtë iniciativë vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në mobilizimin e opinionit publik dhe në promovimin e një kulture respekti, barazie dhe solidariteti.