Në prag të sfidës së kthimit në Kupë ndaj Bylisit, në Shkodër nuk pati konferencë zyrtare për shtyp.
Asnjë deklaratë publike, asnjë prononcim para mediave.Vllaznia zgjodhi edhe një herë heshtjen, një taktikë e ndjekur disa herë gjatë këtij sezoni dhe që tashmë nuk krijon më surprizë në ambientin sportiv.
Në një periudhë ku zakonisht fjalët paraprijnë ndeshjet e rëndësishme, ku trajnerë e lojtarë analizojnë kundërshtarin dhe japin mesazhe për tifozët, shkodranët kanë preferuar të flasin vetëm në fushë.
Trajneri Edi Martini vijon t’i qëndrojë besnik filozofisë së tij, sa më pak ekspozim, aq më shumë fokus.
Numri një i pankinës kuqeblu preferon që futbollistët të jenë të mbrojtur nga presioni i deklaratave dhe interpretimet e panevojshme para një ndeshjeje delikate si ajo e Kupës.
Për Martinin, përgatitja zhvillohet në qetësi, ndërsa përgjigjet jepen në 90 minutat e lojës.
Kjo strategji është parë disa herë gjatë sezonit aktual dhe duket se është kthyer në një rutinë të zakonshme në kampin shkodran.