Ndeshja e Kupës në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Bylisit ka pasur momente interesante në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, siç ju tregojmë në vijim në pikantet e këtij dueli.
-Zhvillimi i ndeshjes në mesjavë dhe orari jo edhe aq i përshtatshëm bën që në stadium të mos jenë shumë tifozë.
Ndryshe nga dueli me Tiranën, në impiant nuk numërohen më shumë se 500 të pranishëm.
-Takim shumë i përzemërt mes Edi Martinit dhe Mirel Joses kur dy ekipet janë në nxehje. Nxënësi dhe mësuesi shkëmbejnë edhe disa batuta mes tyre.
-Një ndëshkim me të verdhë i Dodajt për simulim merr miratimin edhe të tifozëve vendas. Që kërkojnë lojë të ndershme nga futbollisti i tyre.
-Ka një ngatërresë në zonë mes Dodajt e Kastratit, që i prishin punë njëri-tjetrit. Nga tribuna ka një batutë: “Djem, jeni në të njëjtin ekip”.
-”Më afër kundërshtarit” janë fjalët me të cilat Martini i drejtohet Eslit Salës.
-Goli i Bylisit “çmend” Martinin, i cili e ka me Pusin. Ku nga një vendosje e gabuar e këtij të fundit erdhi edhe barazpesha e mallakastriotëve. Menjëherë pas këtij momenti, numri një i pankinës shkodrane çon në nxehje dy mbrojtës si Gjini dhe Bajrami.
-”A keni ndonjë futbollist shqiptar?” janë fjalët me të cilat tifozët ngacmojnë trajnerin Josa. Referuar numrit të shumtë të të huajve tek skuadra ballshiote.
-Tifozët bëjnë shaka me Kastratin, i cili “vjedh” disa metra në një faull. “Mos bëj me hile” janë fjalët drejtuara me nota humoristike nga mbështetësit shkodranë.
-Ka një grindje të çastit mes dy futbollistëve të Bylis, Abdullahi dhe Kane. Ku duhet ndërhyja e kapitenit Marku për të ulur gjakrat.
-Në fund mbyllet me kualifikimin e Vllaznisë në gjysmëfinalet e kupës, me shkodranët që konfirmojnë momentin super si në kampionat ashtu edhe në kupë. E ndërsa për Bylisin, tashmë vëmendja shkon te Superiorja, ku objektivi është mbijetesa.