Temperatura e futbollit në Milano po rritet me shpejtësi ndërsa afrohet derbi i madh i qytetit, që do të zhvillohet të dielën në mbrëmje. Përballja mes Milan dhe Inter pritet me interes të jashtëzakonshëm nga tifozët, duke e kthyer këtë ndeshje në një nga eventet më të rëndësishme të sezonit në Serie A.
Sipas raportimeve të “Calcio e Finanza”, stadiumi legjendar San Siro do të jetë plotësisht i mbushur për derbin e së dielës.
Të gjitha biletat janë shitur dhe atmosfera pritet të jetë elektrizuese në tribunat e stadiumit.
Interesi i madh i publikut do të sjellë edhe një rekord financiar për klubin kuqezi. Milani pritet të regjistrojë të ardhurat më të larta ndonjëherë nga një ndeshje e luajtur në shtëpi në kampionatin italian.
Shifra e arkëtimeve do të kalojë rekordin e mëparshëm prej afro 5.9 milionë eurosh, të vendosur po në një derbi mes Milanit dhe Interit në mars të vitit 2019.
Derbi i Milanos mbetet një nga përballjet më prestigjioze të futbollit europian dhe çdo edicion i tij tërheq vëmendjen e tifozëve në mbarë botën. Edhe këtë herë, përveç rivalitetit historik në fushë, pritet një spektakël i madh edhe në tribuna.