Ish ministri Mehaj: Krejt mysafirët e mi i qoja në Prekaz

- Bota Sot

Ish ministri Mehaj: Krejt mysafirët e mi i qoja në Prekaz

Ish ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, në qeverinë e Albin Kurtit, Armend Mehaj ka thënë sot se në Prekaz ishte vulosur rruga e lirisë së Kosovës me gjakun e dëshmorëve dhe se çdo ndërkombëtar që i vinte mysafir, më së pari e qonte në Prekaz, pastaj në Ministri.

“Sot kujtojmë Prekazin heroik, sakrificën e familjes Jashari dhe qëndresën që ndryshoi historinë tonë përgjithmonë. Në këto ditë të marsit, u vulos rruga e lirisë së Kosovës me gjakun e dëshmorëve”, ka shkruar ai në një postim, të cilit ia ka ngjitur dy foto me Rifat Jasharin. “Prekazi është dhimbje, është krenari, është betim se nuk do ta harrojmë kurrë çmimin e lirisë. Ishalla don Zoti na jep forcë me i çu amanetet në vend, ashtu siç na lanë ata.

Me këtë rast, Mehaj e ka treguar një fakt interesant nga praktika e punës së tij.

“Sa herë që ka pas vizita zyrtare nga ndërkombëtarët, e kam pas si kusht: së pari shkohej në Prekaz, pastaj në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk ka qenë e lehtë, por e kam bërë të mundshme, sepse aty fillon historia jonë e re aty ku u vulos liria”, ka shkruar ai, teksa ka bërë kritika që kjo praktikë nuk po ndiqet më. “Sot kjo praktikë nuk po zbatohet më. Besoj se duhet të kthehet. Jo pse nuk e dimë rëndësinë e Prekazit, por sepse çdo mik ndërkombëtar duhet ta kuptojë mbi çfarë sakrifice është ndërtuar shteti ynë. Prekazi nuk është protokoll. Është themel. Lavdi dëshmorëve”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot