Chivu flet para derbit: Thuram ka ethe, Pio është fantastik, Allegri...

- Bota Sot

Chivu flet para derbit: Thuram ka ethe, Pio është fantastik, Allegri...

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka bërë bilancin e skuadrës para derbit ndaj Milanit, duke folur për gjendjen e lojtarëve dhe rëndësinë psikologjike të ndeshjes.

“Sot kemi pasur disa probleme me Marcus Thuram: ka ethe dhe nuk është stërvitur. Shpresojmë që nesër të jetë 100% i gatshëm. Hakan Çalhanoğlu është në dispozicion dhe po jep sinjale pozitive. Aktivizimi në Como i ka shërbyer shumë”, tha Chivu.

Trajneri rumun vlerësoi se humbja ndaj Napolit në ndeshjen e parë ka shërbyer si kthesë mentale për ekipin: “Mendërisht jemi gati dhe kemi rritur vetëbesimin që nga fillimi i sezonit.

Kthesa në aspektin psikologjik ka ardhur pas humbjes me Napolin. Me Milanin në ndeshjen e parë ishim rritur shumë. Jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se po përballemi me një skuadër të fortë që mund të na vërë në vështirësi. Milan ka lojtarë të fortë, ne duhet të jemi në maksimum.”

Chivu foli edhe për talentin e ri Pio Esposito: “Ka fatin të ketë shokë që i japin besim. Ai ka kulturë pune, po bën një sezon të jashtëzakonshëm dhe di të menaxhojë momentet, përfshirë presionin. Ka numrat nga ana e tij dhe po e shfrytëzon maksimalisht.”

Fokusin e tij e vuri edhe te Denzel Dumfries dhe Alessandro Bastoni: “Dumfries po përpiqet të rikuperojë ritmin dhe ka nevojë për minuta lojë. Një lojtar si ai është thelbësor për ne.

Për Bastonin, nuk mund të kontrollojmë disa gjëra, por është një person i pjekur dhe i fortë. Shokët mbështeten shumë tek ai. Performancat e tij kanë qenë të shkëlqyera.”

Në fund, Chivu foli edhe për Massimiliano Allegrin: “Jam i fundit që mund të flas për Maxin, një trajner që ka fituar gjashtë tituj kampion dhe shumë trofe. Nga ai ka vetëm për të mësuar. Më pëlqen të punoj me njerëz që kuptojnë futbollin.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot