Chivu para derbit me Milanin: Interi nuk duhet ta humbasë identitetin

- Bota Sot

Chivu para derbit me Milanin: Interi nuk duhet ta humbasë identitetin

Cristian Chivu paralajmëroi se Interi “nuk mund ta humbasë identitetin”, edhe pse një barazim do të mjaftonte kundër Milanit në garën për titullin e Serie A, ndërsa theksoi se “të gjithë mund të mësojmë” nga Massimiliano Allegri.

Nerazzurrët po kalojnë një sezon të çuditshëm: nga njëra anë u eliminuan nga “play-offi” Ligës së Kampionëve nga Bodo/Glimt dhe barazuan 0-0 në gjysmëfinalen e parë të Coppa Italia kundër Como të martën, por në kampionat janë 10 pikë përpara në krye të tabelës së Serie A.

Një fitore ndaj Milanit, që është në vendin e dytë, mund ta afrojë praktikisht titullin me dy muaj përpara fundit të sezonit.

“Është derbi dhe të gjithë e dimë çfarë do të thotë për dy ekipe të forta në të njëjtin qytet, me ambicie të mëdha,” tha Chivu në konferencën për shtyp.

“Duhet ta vazhdojmë serinë e mirë, duke u përpjekur të jemi konkurrues dhe duke kërkuar variante që na lejojnë të shprehemi edhe më mirë në fushë.”

Edhe pse epërsia në tabelë është e madhe dhe një barazim mund të konsiderohej rezultat i mirë, trajneri nuk dëshiron të ndryshojë qasjen.

“Nuk mund ta ndryshojmë identitetin tonë, atë që kemi pasur që nga fillimi. Thjesht duhet të kuptojmë momentet e ndryshme të ndeshjes, pa humbur qasjen që na ka sjellë këto rezultate.”

Interi është i pamposhtur në Serie A që nga derbi i fundit kundër Milanit më 23 nëntor, të humbur 1-0, pas të cilit erdhën një barazim 2-2 me Napoli dhe 14 fitore.

“Që nga fillimi i këtij viti jemi përmirësuar dhe kemi një qasje tjetër ndaj ndeshjeve, sepse nuk nënvlerësojmë dhe nuk mbivlerësojmë askënd,” shtoi Chivu.

Trajneri rumun u pyet edhe për vlerësimin që i bëri Allegri në konferencën e tij për shtyp.

“Unë jam personi i fundit që mund të flas për Max, sepse ai ka fituar gjashtë tituj kampion dhe shumë trofe të tjerë. Të gjithë mund të mësojmë prej tij si trajner dhe si njeri.”

Në aspektin e skuadrës, Marcus Thuram është në dyshim për shkak të simptomave të gripit dhe nuk u stërvit sot, ndërsa Lautaro Martinez është i dëmtuar. Kjo do të thotë se Francesco Pio Esposito pritet të jetë startues i sigurt në sulm.

“Pio është me fat që ka shokë skuadre që e ndihmojnë të qëndrojë i qetë, por edhe etika e tij e punës e ndihmon shumë. Nuk është rastësi që po bën një sezon kaq të mirë,” tha Chivu.

Ndërkohë, edhe pse është i dëmtuar, Lautaro vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në përgatitjen e ekipit.

“Ai është me ne çdo ditë dhe gjithmonë ka fjalët e duhura. Mund ta shohësh lidershipin e një kapiteni që kujdeset për këtë skuadër.”

Denzel Dumfries është rikthyer pas operacionit në kyçin e këmbës dhe mund të jetë gati edhe për një vend titullari, megjithëse ende i mungon ritmi i ndeshjeve.

Ndërkohë, Alessandro Bastoni është vërshëllyer nga tifozët kundërshtarë në dy ndeshjet e fundit pas incidentit kontrovers me Juventus, ku Pierre Kalulu u përjashtua me karton të kuq pas një simulimi.

“Kjo është diçka që as ai dhe as unë nuk mund ta kontrollojmë,” përfundoi Chivu.

“Është pasojë e asaj që ndodhi dhe ndoshta do të vazhdojë për një kohë. Por ai e di sa shumë kanë nevojë shokët e skuadrës për të dhe kjo i jep forcë”, e mbylli ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot