Kërnaja për derbin me Dinamon: Hyjmë në fushë vetëm për 3 pikët

- Bota Sot

Kërnaja për derbin me Dinamon: Hyjmë në fushë vetëm për 3 pikët

Para derbit të madh të kryeqytetit, trajneri i Tirana, Oltijon Kërnaja, foli në konferencën për shtyp për gjendjen e skuadrës, objektivat dhe pritshmëritë për ndeshjen me Dinamo.

Trajneri theksoi se atmosfera brenda ekipit është pozitive dhe se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për sfidën e fundjavës.

Si është gjendja e skuadrës?

Atmosfera është e mirë në ekip, pavarësisht largimit nga një objektiv kryesor.

Djemtë kanë treguar në fushë se dinë të luajnë shumë mirë. Ky muaj ka qenë i jashtëzakonshëm për ta dhe shpresoj të vazhdojmë kështu edhe ndaj Dinamos.

Është momenti për të marrë fitoren e parë ndaj Dinamos?

Është e vërtetë që ndaj Dinamos kemi pasur rezultate negative, sidomos në ndeshjen e fundit ku në minutën e 86 kishim dy lojtarë tanë përballë portierit. Shpresojmë që të kemi korrigjuar gabimet e mëparshme dhe sigurisht hyjmë vetëm për 3 pikët.

Një fitore ju vendos në vendin e katërt?

Nuk është ndeshja më vendimtare, pasi kanë mbetur edhe 9 ndeshje të tjera. E rëndësishme është që jemi në lojë dhe gjithçka varet nga ne, jo nga të tjerët. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë dhe e luftuar, pasi edhe Dinamo ka përmirësuar lojën e saj me 3 fitore radhazi.

Keni shqetësime përpara kësaj sfide?

Asgjë nuk na shqetëson. Stërvitja ka shkuar shumë mirë dhe kemi mundur të rikuperojmë lodhjen nga 120 minutat e ndeshjes me Elbasanin. Disa lojtarë janë të freskët dhe kontingjenti është i gatshëm. Mungesat janë të njohura, por nuk kemi vuajtur ndonjëherë, pasi kemi shumë lojtarë të gatshëm për ndeshjen.

Objektivi mbetet kampionati?

Objektivi ynë mbetet kampionati. Si grup, do të japim maksimumin, do të vrapojmë dhe do të derdhim djersë në çdo centimetër të fushës. Në këtë mënyrë, rezultati do të vijë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot