Zgjedhjet në Baden-Württemberg: Cem Özdemir fiton

- Bota Sot

Zgjedhjet në Baden-Württemberg: Cem Özdemir fiton

Rezultati i  zgjedhjeve rajonale në Baden-Württemberg  është sensacional: pasi mbeti pas kandidatit konservator të CDU-së, Manuel Hagel, për shumë muaj - në sondazhe ndonjëherë deri me 14 pikë  -  ish-ministri i Partisë Të Gjelbrit,  Cem Özdemir, ka bërë një rikthim spektakolar. Ai pritet të bëhet kryeministër i këtij landi në Gjermaninë Jugperëndimore.

Kreu i parë i një qeverie rajonale me origjinë turke

Pas zgjedhjes si kryeministër, Özdemir-i do të ishte kreu i parë i një qeverie rajonale në historinë e Republikës Federale, prindërit e të cilit nuk kanë lindur në Gjermani. Prindërit e Özdemirit mbërritën në Gjermani nga Turqia në vitet 1960, si "punëtorë mysafirë" (Gastarbeiter). Politikani 60-vjeçar i Gjelbër, me origjinë nga zona e Shtutgartit, pritet të qeverisë me CDU-në si një partner të vogël të koalicionit. Kështu veproi edhe kolegu i partisë së tij, Winfried Kretschmann, i cili gjithashtu qeverisi me CDU-në dhe nuk kandidoi për rizgjedhje.

Kandidati kryesor i CDU-së, Manuel Hagel, pranoi humbjen. Pas rezultateve të tyre historikisht të dobëta në nivel rajonal, SPD dhe FDP po përballen me një ndryshim personeli.

Özdemir-i theksoi në televizionin ARD se landi federal duhet të qeveriset në një mënyrë të qëndrueshme dhe të besueshme. Ai dëshiron ta udhëheqë Baden-Württemberg-un "nga qendra dhe jo sipas linjave partiake".

Özdemiri i hodhi poshtë pretendimet se i fitoi zgjedhjet duke u distancuar nga partia e tij Të Gjelbërit. Kandidati kryesor i CDU-së, Manuel Hagel, e përgëzoi Özdemir-in dhe deklaroi se detyra e qeverisë tani i ra të Gjelbërve. Ai e përshkroi rezultatin si "të hidhur" për CDU-në. CDU-ja kishte synuar të bëhej forca më e madhe politike, por nuk arriti ta arrinte këtë.

Pas suksesit elektoral të partisë së tij, kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, mbështet vazhdimin e koalicionit qeverisës me CDU-në. Ai shpreson një partneritet të barabartë, theksoi Özdemir-i.

Kandidati kryesor i SPD-së, Andreas Stoch, njoftoi dorëheqjen si kryetar i degës së partisë socialdemokrate SPD në land dhe i grupit parlamentar, për shkak të rezultatit të dobët të socialdemokratëve. Edhe kandidati kryesor i FDP-së, Hans Ulrich Rülke, njoftoi dorëheqjen e tij si kryetar i FDP-së në landin e Baden-Württembergut.

AfD-ja, forca e tretë më e madhe politike

FDP dhe partia E Majta (Die Linke) nuk arritën të siguronin asnjë vend në parlamentin e landit. Sipas shifrave aktuale të institutit demoskopik infratest dimap (të orës 20:57 të mbrëmjes), të Gjelbrit morën 30.3% të votave. Ata nuk arritën ta ruanin rezultatin e tyre të vitit 2021 (32.6%). CDU mori 29.7% të votave, një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin 2021. AfD u bë forca e tretë më e madhe politike me 18.7% të votave, sipas infratest dimap. Kjo përfaqëson pothuajse dyfishin e rezultatit të saj të vitit 2021. SPD e përgjysmoi rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, duke marrë 5.6% të votave.

FDP (4.4%) dhe Die Linke (4.3%) nuk arritën të hynin në Parlamentin e landit federal të Shtutgartit (Landtag). Për këtë atyre u nevojiteshin 5% të votave.

Partitë e tjera së bashku morën 7.0% të votave. Në Baden-Württemberg, të drejtë vote kishin afërsisht 7.7 milionë njerëz kishin, duke përfshirë, për herë të parë, 16 dhe 17-vjeçarët. / DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot