Howe: Fitorja ndaj Barcelonës do të bënte histori për klubin

- Bota Sot

Howe: Fitorja ndaj Barcelonës do të bënte histori për klubin

Trajneri i Newcastle United, Eddie Howe, ka deklaruar se lojtarët e tij mund të bëhen legjenda të klubit nëse arrijnë ta mposhtin Barcelonën në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales në Champions League.

Newcastle do ta presë të martën në shtëpi ekipin spanjoll, që drejtohet nga trajneri Hansi Flick.

Howe ka thënë se një fitore ndaj gjigantit katalanas do të mbetej në histori për klubin anglez.

Ai e ka kujtuar ndeshjen e famshme të vitit 1997, kur Newcastle kishte fituar 3:2 ndaj Barcelonës në fazën e grupeve të Champions league. Në atë ndeshje kishte shkëlqyer sulmuesi Faustino Asprilla me tri gola, ndërsa paraqitje shumë të mirë kishte pasur edhe Keith Gillespie.

“Edhe sot tifozët flasin për atë ndeshje të madhe. Ne duam që pas njëzet apo tridhjetë vitesh të flitet edhe për këtë ekip”, ka thënë Howe.

Newcastle ka arritur në mesin e gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira të Evropës vetëm për herë të dytë në histori. Howe e kishte marrë drejtimin e klubit në vitin 2021, në një periudhë të vështirë, por me investimet e pronarëve të rinj dhe punën e trajnerit, skuadra është rikthyer në elitën e futbollit evropian.

Howe u ka bërë thirrje lojtarëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe. “Janë vetëm gjashtëmbëdhjetë skuadra në garë dhe ne jemi njëra prej tyre. Kjo mund të jetë një mundësi që nuk përsëritet më”, ka thënë ai.

Newcastle është përballur edhe më herët këtë sezon me Barcelonën në fazën e grupeve dhe është mposhtur  2:1, në një ndeshje ku dy gola i kishte shënuar Marcus Rashford.

Sipas Howe, përvoja nga ajo ndeshje mund ta ndihmojë ekipin anglez që këtë herë të synojë një rezultat më pozitiv ndaj pesë herë kampiones së Evropës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot