Agim Gerbeshit i vazhdohet paraburgimi edhe për një muaj

- Bota Sot

Agim Gerbeshit i vazhdohet paraburgimi edhe për një muaj

Gjykata Themelore në Mitrovicë-dega në Vushtrri, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj tjetër Agim Gerbeshit, i cili ishte shpallur në kërkim me fletarrest ndërkombëtar nga organet e rendit dhe dyshohet për dy vepra penale: “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Lajmi për KosovaPress është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.

Sipas saj, me vendim të gjykatës, të pandehurit A.G. i është vazhduar paraburgimi për një muaj.

“Me aktvendim, të pandehurit A.G. i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji dhe do t’i llogaritet nga data 05.03.2026 deri më 04.04.2026”, thuhet në përgjigjen me shkrim të gjykatës.

Gerbeshi ishte arrestuar më 3 shkurt 2026, pasi dyshohet se kishte kryer veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte kërkuar caktimin e paraburgimit që më 22 shtator 2025, ndërsa Gërbeshi ishte në kërkim nga 8 tetori i po atij viti.

Më 3 shkurt 2026, ai ishte paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes, ndërsa një ditë më pas Prokuroria kishte paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e paraburgimit.

I njëjti ishte shpallur në kërkim me fletarrest ndërkombëtar, pasi më herët nuk ishte hasur në shtëpinë e tij gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot